30.7.15

Zen me elefant, gjirafë dhe frigorifer

B - Arbi, kam një gjëegjezë për ty, meqë hiqesh si i zgjuar dhe...
A - Unë jam toç fare, po nejse...
B - Si futet elefanti me tri lëvizje në frigorifer?
A - (mendohet ca, buzëqesh dhe e thotë pastaj shkoqur): Hap derën, plase elefantin brenda, mbylle derën...
B - Mirë... Po gjirafa me katër lëvizje?
A- Hm, normalisht do qe: hap derën, nxirr elefantin, fut gjirafën, mbylle derën, por kjo nuk bën sens...
B - Po pse ore nuk bën sens? Kjo është edhe zgjidhja e drejtë!
A - Ka një tjetër, po me katër lëvizje, që bën më shumë sens: hap derën, përkuli qafën gjirafës, plase brenda, mbylle derën...
B - Po pse t'ia përkulësh qafën gjirafës?
A - Nëse kemi futur elefantin më parë, i bie që frigoriferi të jetë më i ulët se gjirafa, meqënëse frigoriferët janë të normuar për madhësi të mesme; nga ana tjetër, duhet menduar sensi i të futurit të gjërave në frigorifer: ato futen që të rrinë atje ca kohë e jo të nxirren njëra pas tjetrës në një kohë kaq të shkurtër... A po më ndjek?
B - Që ti je i krisur, këtë e di dhe bufi...
A - Lëre bufin, po shih t'i nxjerrësh prapë gjallë me një lëvizje...
B - Me një lëvizje s'bëhet!
A - Bëhet që ç'ke me atë punë. Hiqu prizën!


No comments:

Post a Comment