30.7.15

Tutje, përmbi re

Over the clouds… And the man in the rain picked up his bag of secrets, and journeyed up the mountainside, far above the clouds, and nothing was ever heard from him again… except for the sound of Tubular Bells.

Nëse do kish jetuar dy-tre shekuj më parë admiruesit do e njihnin Mike-un nga portretet e kohës, me toupet ndoshta, e do flisnin për fugat, koncertet, sinfonitë e tij veç me mbiemrin e tij, diç’ si Van Oldfield, Fieldaldi, Olganini, pasi ai s’është as më shumë e as më pak se një virtuoz i lindur në shekullin e gabuar. Atëherë do i kish rënë çembalos, sot i duhet të mjaftohet me kitarrën; mjaftohet s’është fjala e duhur, pasi kitarra nën gishtat e tij është edhe violinë, edhe cicërimë, edhe valë, edhe-edhe...
Tëng-ting-tang… kaq është e gjitha; e ç’bëri më shumë Van B. me dan-dang-dang-daaang-un e tij? Asgjë… 
Bie kambana e kishës aty pranë, nis shëlbimi; shpirti i sapodalë nga kurmi shkund krahët, kthjellet dalëngadalë, provon të fluturojë ca në fllad, në erë, gjen portat nëpër të, portat horizontale, i hap, shkon nëpër to, ndërsa gjuhëza vazhdon të përkëdhelë muret e kambanës së vërtetë, era përkëdhel shumëgjuhëshe muret e kupëta të qiellit. Re bardhoshe, tambël të bardha si shpirti i të ndjerit lavjerren lehtë përmbi, pasi qumështorë janë shpirtrat, si ëndrra.
Ai zë vend mbi to, nëpër to e sheh një herë të fundit përposh: njerëzit që shkojnë në punë të tyre tani ngjajnë asnjanës, ashtu nga sipër, të tjera ngjajnë edhe dallëndyshet që mbarojnë retë dhe erën si pika fundfjalie. Është ditë e paqme, fat ka kush e jep shpirtin sot; rrezet i shkoqisin në fije avuj si duar. Ajo ç’mbet' nga ty është shtrirë tash atje poshtë, mbi kutizë, me duart e palosura mbi njëra-tjetrën; pjesa tjetër është tingull që hollohet, që zgjatet, që shkon puthitur me dritën, drejt saj.
Kambana bie të fundit herë: bie për ty, por ty aq të bën; tash e tutje do të banosh në diell…







No comments:

Post a Comment