Në momentin e shkurtër të pauzës mes dy këngëve të ardhurit në kësoll nisin e bëhen kureshtarë për muzikën që do të vijojë. Random… „Një nga hobbiet më të theksuara të të ndjerit ish, pos bixhozit, cigares dhe kafes, të dëgjonte muzikë duke përdorur funksioninrandom, rastësinë, të cilin e ai e shihte, as më shumë e as më pak, si instrumentin më të hollë të Hyjit (fjala që ai përdorte rëndom për Perëndinë kjo), skalpelin më me majë të të Madhit. Rrinte me orë të tëra duke u përpjekur të parashikonte këngën që vjen paskëtaj“ - u shpjegon vajza me rrobë të kuqe atyre, a thua se është cicerone në një muze me piktura të vjedhura a të humbura për fare.
Me një fragment të shkurtër si sharrim, që është njëkohësisht edhe ritëm e që e shoqëron melodinë deri në fund, nis numri i radhës: "Mea Culpa"… Mike and the Mechanics…
„E donte shumë këtë këngë - vazhdon ciceronia, që shtyp stop, për të thënë diçka - unë vetë nuk e kam kuptuar kurrë përse; gjithnjë kam menduar se është një këngë e rëndomtë për ndonjë sherr në çift, derisa ai më uli një ditë përballë e me seriozitetin më të madh më luti deri në kanosje duke më parë ngulët, duke shtrënguar vetullat, të mos ia prish imazhin që kishte për këtë këngë. Pasi për të - e këtu zëri nisi t’i ngjirej, siç ndodhte gjithnjë kur qe i nxehur - për mua, më tha ... kjo e gjitha ka të bëjë me konfliktin e „Ju“ me „Mua“. Skizofrenët, vazhdoi ai, u drejtohen rëndom kështu të tjerëve, në shumës, qofshin ata edhe veç e thjesht e ëma. Pra, unë, me një fjalë ai që këndon, por që jam unë, është i revoltuar me botën, me tjetrin, me të tjerët, me „Ju“, mbyllet në dhomën e tij e falet atje vetëm, pasi kjo e gjitha duhet dëgjuar si monolog, si lutje drejtuar Hyjit. Po më bien në qafë o Zot - shih se ç’thonë, pastaj e kupton se një nga manifestimet e të Madhit janë pikërisht të tjerët e, ja, po vijmë mu në thelb të këngës:... Ju nuk ndjeni dot e nuk po doni të harroni, bashkë e kemi bërë atë, për të cilën u penduam, pendohemi… Mbajta frymën, ndërsa ju po i linit kohë vetes, që t’i rrëfej botës zgjedhjen time… Faji im ë? Mea Culpa ë?… Ju s’ma keni nevojën mua, nuk ia keni kurrkujt…
Është psalm ky, si nga ato të Davidit, jo një këngë e thjeshtë dashurie me si ma bëre e si ta bëra… Ju nuk e dinit se ç’ju mbante zemra, derisa patë brenda; shihni pra, shihni mirë aty brenda… Çështje të vjetra sa bota, a më kupton, çështje faji… Nuk është se e kuptova deri në fund; i ndjeri ish njeri me huqe, sidoqoftë ish e lehtë për mua t’ia respektoja dëshirën e mos e përmendja më: Mea Culpa.
Meqë ra(ndom) fjala, apo kënga, quajeni si të duash, të ndjerit i pëlqenin nga Mike and the Mechanics posaçërisht edhe „Another up of coffee“, „A House of many rooms“, „The Ghost of sex and you“ dhe „A beggar on a beach of gold“ nga albumi me të njëjtin titull - mbaron ciceronia hyrjen e saj, - who the hell is Mike? - pyet një i pranishëm - Mike Rutherford iGenesis, përgjigjet flegmatike ajo, ndërsa shtyp play e muzika rrjedh sërish…
No comments:
Post a Comment