30.7.15

Fallen

Të ardhurit kthehen nga funerali e bëjnë habi kur një vajzë e veshur me të kuqe flakë, ish e vluara e të ndjerit me sa duket, u shpërndan kufje, muzika random e së cilave nuk merret vesh nga vjen. Pyetjeve të pashprehura akoma ajo u del para me: kjo ishte dëshira e tij e fundit. Goma e tyre përplaset pas veshit si muret i veshur të qelisë së izolimit për të marrë me banorin e vet: butë e dhimbshëm.
Butë e dhimbshëm si rrahje zemre bien dy tingujt e parë: siç bie rrahja e zemrës, siç ajo këputet, kullon, rrjedh duarve që mbajnë majtas gjoksin e bie përdhe, një rrahje gjaku e shartuar me shi, dy të tilla... Fallen... Delerium...
Deep PurpleThe Doors e U2 i njeh gjithkush, janë vende të shkelura shumëkëndshëm, por who the hell është Delerium dhe Rani? Kokorët do të shkojnë e do të kërkojnë pastaj në Wiki; zemrorëve u mjafton veç rrahja. 
Këngë dashurie? A po të kujtohem? Tash jam veç një hije... këtu zakonisht unë rri... shi këtu, ndanë teje... 


Është i ndjeri në një kohë më të vonë, më të pakohë, në kohën e përtejme. A nuk zgjatet, hollohet, humb koha kur drita kërkon dritën? Herë-herë të thërret me emër e pëshpërima e tij kalëron një fllad vere, është vetë flladi; e ç'nuk do jepte që të ndjente edhe një herë dielldritën mbi fytyrë, ç'nuk do jepte të përhumbej ashtu në përqafimin tënd... Ka rënë, fallen, ka rënë si shi zemre prej dritës qumështore të një ylli të largët, siç bie pika e fundit nga gjiri kur foshnja largon gojën e mëton ta presë edhe ca atë, të rrijë edhe ca ashtu, në ajër, të kthehet në burim, thirrur prej dashtit, por ka rënë, fallen, ka rënë mes dy botësh, është ndërmjet dy mokrash si miell i bluar që bie i përzjerë me dritën, rrahje gjiri e shartuar me dritëqumësht: ka rënë, fallen... në ndërmjetësi, rënë midis dy botësh, tek synon të kthehet prapë drejt yjesh, një natë mbi tokë, fallen... Të ka gjetur në ëndërr, n'andrrën e jetës e nuk mund të të shfaqet, nuk mundet të dalë më cullak se aq, më thelb, më pafund, më midis, më i rënë. Je ti ai, një ditë me diell a një natë me yjedritë, kur besimi yt të jesh vetë ti, atëherë do e shohësh siç do të shihje tash një yll të largët që qumsht të kaltrën: veç pak besim e do të mund të ngrije kokën prej përhumbjes së hapave, kokën e rënë përposh, fallen...



No comments:

Post a Comment