Prej Apollonit, Hyjit të muzikës, Orfeu mori një lirë si dhuratë, që i pari e kish marrë prej gjysmëvëllait të tij Hermes. Orfeu magjepste zota, njerëz, madje edhe kafshë, bimë e gurë...
Ç'melodi, ç'harmoni ishin ato të Orfeut? Na mbetet veç të bëjmë kujdes kur magjepsemi vetë, të mëtojmë të ruajmë e shumëfishojmë ndjesinë e parë të trandjes, të drithërimës që pason përballjen me to.
Po rrinim në apartamentin e M. e ai kish vënë me zë të ulët muzikë e po bisedonim, kur papritur tema e melodisë që po luhej më mbërtheu, siç na kapllojnë forcat elementare, gjërat më të thjeshta në botë: bubullima, tërmeti, flladi, shfaqja e një fytyre të paqtë, shushurima e oqeanit apo këmborët e bagëtive. E thjeshta nuk është simpël, e thjeshta është si kthimi në shtëpi pas një udhe në vende të largëta: gjithnjë aty, por kurrë ashtu. Të të të, të të të, tëtë të të të... e kaq, disa herë, në kreshendo, herë duke e ngadalësuar ca rrjedhën, për të hovur nga fundi si kthimi në një mbrëmje të kthjellët të një tufe me dele... pak idilike kjo e tëra, ndoshta edhe ca patetike, ashtu qoftë, por aq më bën, më pëlqen, më pëlqen fort dhe e pyes M. se ç'muzikë është.
Ai merr pa fjalë këllëfin e diskut (është dopio disk) e ma tregon: Andreas Vollenweider & Friends - Live (1994).
Rri edhe ca, është viti 97-98, e kur dal e mbaj frymën në një dyqan disqesh, ku porosis albumin në fjalë. Pas dy-tri ditësh ai është imi dhe është mirë kështu: e dëgjoj mbarë e prapë, ditë me radhë, bezdis të njohurit që më vizitojnë duke u vënë Pace Verde e duke pritur që ata të ndajnë ngazëllimin tim, por më së shumti ata bëjnë sikur dëgjojnë për mirësjellje e ua shoh të shkruar në fytyrë ngucjen që u shkaktoj. Nuk kam ç'bëj: më duhet ta mbaj për vete perlën, më duhet të merrem vetë me dyshimin që ose ata janë ndryshe, ose jam unë; ka fort të ngjarë të jenë të dyja.
Kam dëgjuar edhe versionin në studio, por më është dukur i zvargur, i mefshtë, i squllët, i rregullt, ndërsa në atë çast të ngrirë kohe, si një mamuthi që ia ka ruajtur akulli/lluca deri edhe barin në gojë, në versionin live, deri edhe duartrokitjet e klithmat e spektatorëve janë pjesë integrale e muzikës; kjo e fundit spontane, e atypëratyshme si një puthje e freskët që merr papritur e papandehur nga një e panjohur...
No comments:
Post a Comment