30.7.15

Bigger than us

Janë vetëm pak argumenta ata që më bëjnë të duroj praninë e aparatit të televizorit në skutë; ndoshta më i forti - po të mos llogarisim lidhjen e tij me kompjuterin, prej nga projektoj ndonjë film o dokumentar që dua ta shoh vetë e jo të ma servirë dikush tjetër, aq më pak të kostumuarit/të zhveshurat e frikshëm/frikshme të Mëmëdheut - pra, një nga argumentet për ta mbajtur bishën aty janë ca çaste dobësie e ligështimi andej nga pasmesnata, kur me fat mund të hasësh a të të hasë ndonjë çurkë e kthjellët, që një Zot e di se ç'kanale, ç'hulli, ç'rrudha, ç'vraga ka ndjekur për të mbërrirë tek ty.
Tjetër argument është ai i natyrës juridike: ende nuk guxoj të ndërmend pasojat që më ka lënë hedhja e një bullafiqi prej ballkoni nga kati i katërt në pasoborrin e banesës sime nën çati asokohe, të një aparati pra të asajbote, që ishte më i thellë se i gjerë, por që u fundos, u plandos përdhe me një bëlldum shëlbyes nga brenda, si një godinë e hedhur në erë përsëmbari. Por kjo është temë tjetër e ajo që dua gjithherë t'i ndërmend vetes kur më vjen t'ia thyej turinjtë Flat-it tim është, mes të tjerash, fakti që përmes tij kam dëgjuar të parën herë Bigger than us.
Ka akoma djem seriozë në këtë botë, që bëjnë muzikë se u pëlqen e jo për muzikën rrethepërqark, që suksesin e shohin si majë prej nga ku veç mund të zbritet e që malet i duan pafundësisht të lartë; shpresoj të kenë mbetur ca edhe nga anët tona, por, edhe në paçin mbetur, i bie që t'i hasësh veç me teorinë e kaosit, në mos tek kafeneja e lagjes, apo t'i kesh patur diku në ndonjë maturë; në fund të fundit edhe kamarieri që të sjell kafenë përditë është goxha djalë, i dashur, i respektuar dhe i dëlirë në padijen e vet, ndonëse jo me patjetër kitarist a erudit.
E dua të besoj se edhe këta çunat e White Lies janë të tillë, por edhe në mos qofshin kujt i intereson? Këngën e dëgjoj sa herë të dua, kafe e cigare kam, qeraja paguhet, dritarja sheh nga pas; nëse kjo nuk të mjafton, nuk të mjafton asgjë: leri militantët, iluministët, aksionistët, botëndryshuesit, të grupuarit, të groposurit atje jashtë, në punë të tyre, në hallet e veta, në qejf të vet: hidhi sytë nga dritarja jashtë e je në majë të malit e panorama që shpaloset përtej është e madhe, edhe pak e bie nata e yjet e zmadhojnë edhe më botën, mos harro: universi është i pafundmë jo vetëm nga jashtë, por edhe nga brenda, zgjidh kahjen e përfundu nga të duash, pasi është Bigger than us.
Ku është mesi, prerja e artë e pafundësisë së madhe me atë të voglën, që je ti vetë, ku? Mu këtu, në tingujt që çojnë lart, që të zhysin brenda, që të marrin a i merr si delfin që hidhet mbi valë. Nuk shkon asgjëkundi, veç vjen përandej nga je nisur... Se është më e madhe se ne, Bigger than us...






No comments:

Post a Comment