... Ose kukafshehtas së prapthi
Po të përfytyrohej kryengulthi kjo lojë aq e dashur e fëmijërisë, do ishte pak a shumë kështu: ca tipa që të shfaqen kudo nga kthen kokën, si Allahu myslimanëve, ngado që shkon, çfarëdo ekrani të ndezësh e cilëndo faqe të klikosh, që mëtojnë medoemos të gjehen prej teje, që ta bëjnë kuku ndërsa kërkon t’i harrosh, t’u shmangesh. Fundi i kësaj paranoje merret edhe ai lehtë me mend: ti vetë vihesh pastaj në kërkim të ndonjë skute fort të thellë e të fshehtë, të ndonjë vendi sekret e të mirëmbrojtur, që i bie, me rregull treshi, të jetë dhoma, apartamenti ku banon, në mos shtrati ku fle, porse edhe tualeti, ndonëse edhe atje të ndjekin, në mos vetë tipat e lartpërmendur, haluçinimet e tyre, vazhda e kujtesës.
Dhe, a propos, Jezusi paska patur me siguri të drejtë, siç duken qartë bathët, kur profetizoi se do vijë dikur një kohë kur të fshehtat e gjithsekujt do të cicërohen (twitter) prej çative (antenave).
Andy Warhol citohet të ketë thënë: „Në të ardhmen gjithkush do të jetë botërisht i famshëm për 15 minuta“. Përkthyer bota me Shqipëri dhe gjithkush me shumëkush, 15 minutat janë ca më shumë se aq; e ardhmja e Warhol-it jo vetëm që ka ardhur, por ngjan e tejkaluar, kur në ekran shfaqen për të n-tën herë me orë të tëra, me muaj e vite të tërë, tipe pa asnjëfarë kontributi, përpos numrit të gjoksmbajtesve, apo sasisë së botoksit nëpër buzë; ca tipa, merita e vetme e të cilëve është… vërtet, për çfarë po bëhet fjalë, për çfarë janë mbledhur një grusht burrash në studio dhe ato dy laraskat për larmi, ç’kuptim ka e gjitha kjo, 24 orë në ditë, 25 vite rresht?
Shpejt ia gjen ilaçin ekranit të televizorit; telekomanda ka, falë Zotit dhe shpikësve të saj, funksionin off. Me të i çon në djall të gjithë F-të, R-t, L-t, N-t dhe Z-t e kësaj bote; mbetet vetëm vetja: ç’të bësh me të?
Mund të dalësh e të bësh një qark në qytet, mirëpo përvoja të ka mësuar se bota e ideve absolute që rrezaton ekrani ka shëmbëllimet e saj, ku e ku më të frikshme, atje përjashta: në kafene flitet për ata që sapo i fike, shtëpiake me fytyra të skuqura nga tensioni patetik janë akoma të nxehta nga parja e puntatës 374 të „Bidai“-t, të tjerë thuajse të rrezikshëm nga mbidoza e kronikës së zezë, dhe të tërë, të gjithë fare, kanë për inerci fillestare vëllezërit e mëdhenj Rama, Berisha, prapë Rama, Meta, Basha e kështu me radhë.
Mendon me vete: mirë gazetarët që qenkan të dobët, nuk kanë se me ç’mbushin programet e bullshit mediatik të kësaj natyre, po këta njerëz, këta që na qeverisin, këta që na tregohen, këta që shfaqen, a e pyesin veten ndopak për sensin e gjithëkësaj rrokopuje, për valët që përçohen në hapësirë e në vetëdijen kolektive të gjithkujt, për tatuazhet vizive që lenë në mendjet e atyre që i kanë lënë mendja e rrinë e i shohin?
Lëri të tjerët, mendon me vete, veten vrafshin, por shih të shpëtosh kokën tënde, sepse, siç duken bathët, ti qenkëshe nga të paktët që e vret atë të shkretë me, as më shumë e as më pak, pikërisht me atë që kërkon të anashkalosh.
Pa televizor, pa internet, të mos dalësh në pazar, të mos lexosh gazeta, të mos komunikosh me njerëz ose vetëm me ca të paktë, sipas ca rregullash të përcaktuara me skrupulozitet, të dëgjosh muzikë me kufje, vetëm ca gjëra, të lexosh ca libra; kjo i bie të jetë alternativa e vetme e të jetuarit siç duhet, strukja, kukafshehtasi së prapthi. Ndonëse nuk po të kërkon njeri, të gjithë po të kërkojnë t’i zbulosh ku janë fshehur dhe ata janë gjithkund.
Çfarë të ndërmend e tëra kjo? Bingo! Burg.
Burgu për burra është, thotë një fjalë gjysmë e urtë, gjysmë urbane, gjysmë zhargon.
Për më tepër, burg vullnetar. E meqë na duhet ndonjë motiv për ta ndjerë veten në faj, le të mbjellim edhe ndonjë rrënjë marihuanë në saksi e ta shkojmë pjesën që na mbet’ të jetës mbi minder, duke tymosur e dëgjuar reggae.
E, kur nis e flet në shumës, të ndërmendet menjëherë se ndjesia e të qenit i vetëm në botë, i veçantë apo special, është edhe ky iluzion; iluzion totalitar, mesianik, profetik.
Ka atje përjashta sa të duash si puna jote, të ndërmendet, të përndjekur që u fshihen edhe ata të gjithëkudondodhurve, cicëruesve, instagramsave, fejbuksave, selfistave, që ushtrohen në artin e vështirë të të fshehurit.
E të ndërmenden po ashtu tre majmunët* e të bëhet se koka që ke futur nënkresës, rërës, trefishohet aty vetëm për të plotësuar trininë e gjymtimit të njërës shqisë me mungesën e dy të tjerave.
* "...The three wise monkeys (Japanese: 三猿 Hepburn: san'en or sanzaru?, alternatively 三匹の猿 sanbiki no saru, literally "three monkeys"), sometimes called the three mystic apes,[1] are a pictorial maxim. Together they embody the proverbial principle "see no evil, hear no evil, speak no evil".[2] The three monkeys are Mizaru, covering his eyes, who sees no evil; Kikazaru, covering his ears, who hears no evil; and Iwazaru, covering his mouth, who speaks no evil..." - nga Wikipedia.
No comments:
Post a Comment