Qenë mbushur dy dekada e ca ç'prej atëherë, kur, duke parë nga dritarja e klasës ku bënim mësimin e gjuhës, më zunë sytë jashtë një siluetë të njohur e të ndryshuar aq, sa nuk po u besoja. Më e pabesueshme se pamja e saj ishte ndjesia e rastësisë që puq njerëzit; mistika e vërtetë nuk është ajo providenciale, por ajo random.
Mora leje e dola jashtë e nuk mundja të mos e mbaja një ndjenjë ngazëllimi e hareje tek e shihja mikun tim; ngazëllimi që po takoheshim kësisoj, random, dhe hareje e qesëndie tek po këqyrja se si ishte katandisur: këpucë ushtarake të Bundeswehr-it me kambale, xhinsa të shqyera në zonën e gjunjëve, flokë të gjata e mjekër që i varej deri në gjoks, një çantë e madhe shpine dhe, natyrisht, nuk mund të mungonte duhani i dredhur e atë po bënte, po e dridhte pra, kur i thirra nga pas: " O horr, ç'të pruri këtyre anëve?"
Ai u habit po aq sa unë kur më dëgjoi zërin e me siguri ka përjetuar të njëjtën ndjesi mistike, të cilës shpejt i zuri vendin gëzimi i hovtë i atij që bën autostop anë rrugës kur ndalon ndonjë makinë për ta marrë: "More lugat, je bërë si Padre Pio, bilokal; po ti sikur ndodheshe gjoja nja 500 kilometra më tutje, në katundet e Bavarisë?"- "Kur na bie rasti të shpëtojmë ndonjë dele të humbur, nuk u druhemi largësive, por shkojmë deri në ferr, nëse e kërkon ideali, kauza. Mirëseerdhe në gjirin e ngrohtë të demokristianëve..." - dhe u përqafuam.
Dy dekada më vonë ai nuk ishte më; humbjen e pason kujtimi dhe kujtimin qëmtimi i harrimit. E duke qëmtuar në harresë më feksi një melodi e harruar, gjysma e një kënge, soundtrack-u i shumë ditëmbrëmjeve kaluar bashkë në dhoma të vogla rrëmujë, aroma e harruar e barit, inkursionet e para në hipizëm, psikedelika e atyre kohëve, që veç më vonë e gjithnjë të shoqëruar me mungesën ku projektohet malli e nostalgjia, të trand zona të errëta e të vithis pirgje që ndoshta janë gropa.
Dija vetëm e kujt qe, Golden Earring, por nuk dija titullin e këngës, aq më shumë që nuk bëhej fjalë për të tërën, por veç për gjysmën e dytë të saj. U vura ta kërkoja një kohë e nuk e gjeta, një tjetër herë, në ditë kur njeriu është veç shuma e kujtimeve të tij, rrëmova edhe ca në kujtesë për detaje e, ndonëse nuk më kujtohej më shumë se fillimisht, m'u bë e qartë se ajo pjesë kish cilësitë e kryeveprës (personale) dhe se nuk është gjithnjë shija, për të cilën nuk diskutohet dot, por pikërisht mistika random e udhëtimit të së bukurës përkah nesh, pasi nuk ka se si të jetë që ne e kërkojmë dhe e gjejmë atë; është ajo që na kërkon e na gjen, nëse e kemi lënë derën hapur për miqtë, kuptohet.
Dhe hapa dyert; me durim e përkushtim dëgjova gjithë veprën e Golden Earring - që ndonëse është pasabël, nuk shquhet për perla- dhe, natyrisht kur nuk e prisja, teksa gjysma e këngës kish rrjedhur, gjysma e parë e zakonshme, e mirë, solide, por e zakonshme, kish rrjedhur, nisën të dëgjoheshin ca sirena a klithma fëmijësh të një bote tjetër e u katapultova dy dekada e ca mbrapsht në kohë, ulur përballë një kasetofoni, ndërsa ktheja e ktheja shiritin në një pikë që merrej me mend, mu në qendër të iluzionit të pas 90-ës se liria më e dëlirë e mundshme është vetëshkatërrimi, e në shtratin e dhomës së konviktit rri ulur këmbëkryq miku im që dredh një joint e është një çast mirëkuptimi, plotësie, miqësie e gjithçka është siç duhet: vëllazëri e muzikë, ç'na duhet tjetër? Asgjë, vërtet, asgjë më shumë.
Tash rri para gjysmës së mbetur, muzikës, e ndërsa e dëgjoj e e dëgjoj pa fund, mendoj që vërtet nuk na duhej më shumë, por nuk na duhej edhe më pak se aq, dhe më bëhet e qartë se paqja e shpirtit, ashtu siç e bukura, ashtu siç lumturia, vetë shpirti nuk mund të kërkohet, nuk mund të gjendet, por veç mund të gjehesh prej tij, nëse i le dritaret hapur, e gjithë ç'mbetet është vetëm pritje, pritje që kjo të ndodhë, të ndodhë amshimi, të gjendemi sëbashku në ëndrrën që na ndodh. We've got a dream in common, We've got a dream!
No comments:
Post a Comment