Mjafton një shëtitje e shpejtë postimeve të bashkëatdhetarëve në Facebook, apo mediave shqiptare të shkruara a me figurë dhe zë, për t’u ndierë si pas vizitave që bëhen rëndom për Vit të Ri: kudo që të ndodhesh të ofrohen gjëra me shumë sheqer e shërbet e nëse fizikisht do të mundje ta refuzoje llokmën e bakllavasë, copën e kadaifit, apo rombin e sheqerpares duke patur alibinë e të paturit ngrënë gjëkund tjetër, nuk mund ta bësh dot këtë agjërim vullnetar me sytë, veshët dhe nervat e mbingopjes, të paktën jo pjesërisht, me mediumet e lartpërmendur.
Velja (në mos veleria = vel + neveri) ndodh zakonisht shumë shpejt, pasi dozat e kitsch-it dhe patetikës që të bëjnë cinik janë së pari të mëdha dhe së dyti shumë të përqendruara. Njeriu mund të përballojë edhe sasi vdekjeprurëse, nëse është stërvitur me doza të vogla të përditshme helmi (diç si puna e alkoolit, apo drogës) dhe, pa dyshim, që ne jemi të tillë. Qysh në fëmijëri na kanë trushpëlarë (bërë zbor) me prejardhje, virtyte, moral dyfish, ideologji të dyshimta, ateizëm të skajshëm, shqiponja, yje pesëcepësh, lahuta, drepër e çekanë, gjak e shpatë në dorë - lista e simboleve (kupto: opiateve) kombëtare e ndërkombëtare është e gjatë dhe aspak e panjohur për të gjithë ne; ndryshimi qëndron në ata përftohen, nëse përftohen, parimisht si të tillë, pra si helme në rastin më të keq, apo, siç shkruam më sipër, shërbet i mbiëmbël në rastin më të mirë. Nga mungesa e zërave publikë kritikë dyshojmë se ose gjithkush e toleron karamelizimin e komunikimit me mbylljen e njërit sy, ose askush nuk impresionohet më nga jo që sheh me syrin tjetër të hapur. Por pamja e munguar përgjysmë është e njëjta pamje, kronikat e zeza të krimit janë në përpjestim të drejtë me epitetet e faqeve kulturore disa faqe më tutje; vrasjet dhe hedhjet në erë nuk i rrinë shtrembër ligjërimit të mbufatur e diabetik të personave publikë, pasi skajet takohen. Në këtë kuptim, ka një lidhje të brendshme, ta zemë, midis emfazës patriotike dhe prostitutave shqiptare të të gjitha vendeve (bashkohuni!); midis të dukurit dhe të qenit, mes të folurit dhe të bërit, midis të kostumuarve me e të kollarisurve me Armani në ekran dhe maskave, tutave të sportit e parruajtjes të të pandehurve për krime të rënda; është një hon i tërë mes asaj që ne bëjmë sikur jemi e asaj çka jemi vërtet.
Patetika e rënduar, mbidoza, është një nga simptomat më të trishta të mjerimit të vetëdijes shqiptare (e, siç shkruam më sipër, ka të ngjarë që kjo mbidozë të na ketë bërë disi cinikë). Ajo të vret menjëherë syrin e pambyllur në rastet kur vetëpërmbajtja dhe maturia priten më së shumti: në cilësimet për veten dhe „tanët“. Është bërë tashmë e udhës të shpërdorohen epitetet, aty ku duhej të qe „i njohur“ bëhet „i famshëm“, „i famshëm“ bëhet „i madh“, „i madh“ bëhet „gjigant“, „talent“ bëhet „virtuoz“, „virtuoz“ bëhet „gjenial“, „figurë“ bëhet „ikonë“, „shenja“ bëhet „simbol“, „europian“ me shumë lehtësi „botëror“ e kështu me radhë. Kjo çon vetiu në mungesën e sipërorëve atëherë kur ata duhen përdorur vërtet e për pasojë në deflacion të gjuhës, pasi, nëse Shqipëria jonë e vogël gëlon nga „të mëdhejtë“, „yjet“, „ikonat“ etj., atëherë ç’mbetet të thuhet, ta zemë, për Homerin, Da Vinçin, Danten dhe Ajnshtajnin?
Mund të gjesh motive për humor kur ekipi i Realit luan për dy milionë dollarë një miqësore me Gramozin, apo kur ish-kryeministri dhe Presidenti i Republikës presin fituesen dhe tutorin e një spektakli muzikor televiziv anësor në mjediset më të larta zyrtare të vendit, i japin këtij të fundit dekorata, apo e veshin me kostum popullor dhe e nxjerrin në fotografi, por më së shumti të buzëqeshet hidhur, nëse të vjen për të buzëqeshur ende.
Shumë më i trishtë se kaq është patetizmi kur shfaqet në formë thirrore në xhenazetë publike. Akoma mund të shfletohen kudo fjalimet që u mbajtën në përcjelljen e Vaçe Zelës (apo edhe të Podrimjes para ca kohësh, Bariut dhe Sallakut së fundmi) për në banesën e fundit: teprimet në elokuencë dhe dalja huq në gjetjen e fjalëve të sakta e bëjnë dikë që i dhemb humbja e Zelës dhe e të tjerëve të ndiehet keq nga mungesa e masës së folësve, nga teprimi shpeshherë bombastik. Është për të ardhur keq që edhe në çaste të tilla thellësisht kombëtare janë ndërkombëtarët ata që dinë të ruajnë më mirë se „tanët“ sensin e masës, duke nderuar kështu më mirë se këta të fundit kujtimin e të ikurve.
Gjithkush mund të lexojë po ashtu online e tjetërkund vjershat dhe poemat e pafund e pa kripë për të ndjerët, shkruar sinqerisht nga njerëz me patos të theksuar dhe emocione cerebrale. Dikujt tjetër do i vijë ndërmend padashur, e ky do ishte edhe shkaku i keqndjesisë ndoshta, koha, jo fort e largët mendërisht, kur u përcoll pa fetari diktatori e hemoragjia e fjalëve dhe vargjeve asokohe; nuk do të ishte rastësore e tëra kjo: hija e të shkuarës vazhdon ta ndjekë ende mëmëdheun si i ngrituri nga varri, ndërsa fati (haku?) i Shqipërisë vazhdon, me sa duket, të rendë ende si i (pa)marri…
No comments:
Post a Comment