29.7.15

Shollywood

Hollywood-in e dinë të gjithë se çfarë e ku është, Bollywood-in gjith’ e më shumë (për shqipparësit e moshave të thyera: „Vagabondi“: Raxhi dhe Rita…), Nollywood-in më pak, ndërsa për Shollywood-in nuk ka dëgjuar askush, pasi këtë emër po ia vemë ne tani të parët. Për këtë të fundit, ose më mirë veçse për një film me metrazh të shkurtër të tij të ditëve të fundit, do të shkruajmë ca rreshta.
Në Shollywood ngjarjet nuk kanë skenarist e as regjisor: mungesa e këtij të fundit ndihet dhimbshëm në formë, ndërsa e të parit në përmbajtje. Si shikues, ti nuk di ç’të bësh me përjetimin tënd që luhatet ndërmjet buzëqeshjes së hidhur - pasi ngjarjet janë më së shumti zbavitëse, për sa kohë nuk të duhet të jesh vetë i pështjellë në to; zbavitëse në kuptimin cinik të kësaj fjale - dhe revoltës qytetare, shoqëruar kjo me pafuqinë e spektatorit, i cili nuk mund të hyjë dot në ekran e të ndryshojë rrjedhën e tyre. Si spektator ti ke vetëm mundësinë e të dalit nga salla, nëse flitet për kinemanë, apo të zap-ësh në një kanal tjetër, në je para televizorit. Nëse arrin të bësh zap veten, më e këshillueshme do të qe ta fikje fare. Ose të ulesh e të shkruash ca rreshta, si punë vetëterapie e tua hedhësh edhe të tjerëve topin - gurin, për të dalë tek Sizifi. Pasi filmimi, që na shkakton këto simptoma, ka vërtet diç’ sky-shëm absurde.
Bëhet fjalë për këtë trailer-in këtu:
http://www.abcnews.al/lajme/kulture/4/37066
Absurd është këtu shkaku përse janë mbledhur ata pak njerëz në atë sallë të ftohtë, absurde është fjala e ministres, e cila bën si me përdhunë diç’ që duket qartë se nuk e beson, absurdë janë edhe aktorët që marrin e japin çmimet (paratë), absurd është vendimi për të ndryshuar numrin e tyre në t’ardhmen. Por nuk ka se si që kultura e një vendi të jetë absurde, ndaj dhe hidhësia e buzëqeshjes më sipër dhe pafuqia e revoltës para ekranit.
Pasi , duam s’duam ne, „…ndryshimi që kërkojmë të shohim në botë jemi vetë ne“ (Gandhi), e problemet e sistemit, ndonëse R. pohon të kundërtën, janë më së pari probleme të ndërgjegjes, për pasojë, probleme të kulturës.
Është simptomatik ky filmth i shkurtër, shfaqur disi fshehtë në cep të kronikave të përditshme politike a të zeza, pasi na tregon qartë se elitat kulturore të këtij vendi nuk janë në gjendje të organizojnë siç duhet një konkurs të thjeshtë e të pafajshëm me një juri të pakontestueshme dot, duke qenë se janë ata vetë të parët që dyshojnë në këtë; ç’mund të presësh për gjëra më madhore pastaj, siç është, ta zemë, përpunimi i së kaluarës, hija e gjatë dhe e pakrasitur e së cilës vazhdon të na pllakosë deri edhe shpirtrat?
Pasi shqiptarëve të moshave mbi 40 u kujtohet ende fare mirë se si bëheshin këto punë asokohe: nuk ngjan të ketë ndryshuar shumë gjendja. Natyrisht që kronos-i bën të vetën, por edhe jeta është gjithashtu e shkurtër, për të lexuar edhe në pleqëri, pasi të kanë dhunuar në fëmijëri me „Nënë-n Shqipëri“ se si ish-kryetari i Lidhjes famëkeqe të Shkrimtarëve u jep leksione demokracie kryetarëve të shtetit, ndonëse e pohon vetë i pari se ka mbetur komunist në shpirt. Pothuajse është harruar, apo nuk përmendet qëllimisht, se K. përveç „Pallatit të ëndrrave“ ka shkruar edhe të tjera gjëra, pa përdhunë, që të kuptohemi, a të keqkuptohemi, se zërat që citojnë shqiponjat që fluturokan lart dhe komisarët, harrojnë po aq qëllimisht pjesën tjetër të ajsbergut. Është tejet e trishtueshme të shohësh se si përfliten „legjendat“ e ekranit shqiptar, „këngët e shekullit“, bacët, gjigandët, yjet, „të mëdhenjtë“ - patetika e rënduar të bën të të vijë për të qeshur edhe në xhenaze: jo se të ndjerët nuk e meritojnë nderimin, por ky nderim që u bëhet është më së shumti „homazh“ që ka shumë të përbashkëta me atë të gjatin e të lodhshmin njëjavor të 11 Prillit. Simptoma provincializmi, pa dyshim.
Me sa duket, ata që i japin e i marrin çmimet kombëtare janë edhe ta me një këmbë në varr, qoftë në të shkuarën si grackë, ku mund të tundin veç këmbën e lirë në këtë vallzim grotesk shqipesh, qoftë në të ardhmen si kujtesë, pasi absurdi ka vetinë e të mos lënit gjurmë: brezat që vijnë nuk e kuptojnë dot.
Që ata të mund të na kuptonin, ne e kohët, në të cilat na u desh apo deshëm të jetonim - në njëfarë mënyre ne jemi edhe koha në të cilën jetojmë - do të duhej nga ana jonë, që ne vetë të mundnim të mbyllnim kapitullin e të shkuarës, për të qenë të lirë për atë që vjen. Këtë nuk po jemi ende në gjendje ta bëjmë së pari në ndërgjegje, ndërsa realiteti i jashtëm është veç gjurma e kësaj përleshjeje me veten, këtij makthi drejt një rregulli, qetësie e pjekurie të supozuar.
Ministrja shpalli se vitin tjetër do të ketë vetëm një çmim: por ky nuk qe problemi. Nuk qe problemi as në ata që morën çmim ishin të denjë për të; ndoshta e meritonin, ndoshta jo - për të vënë në dyshim këtë duhen lexuar rreth 1500 libra e duhej folur për ata që do e kishin merituar e nuk e morën, por as kjo nuk i interesoi kujt.
Pasi dyshohet konstrukti, dyshohet, a priori ndoshta, edhe juria e ky është problemi i vërtetë. Me sa duket, në të gjithë hapësirën shqipfolëse, nuk mund të gjenden jurorë, integriteti i të cilëve, me apo pa të drejtë, të ish i pakontestueshëm.
E kjo nuk ka gjasa të ndryshojë as vitin tjetër, as vitet në vazhdim. Ndaj, ndokujt (çmimi do të ketë vlerë simbolike, aty tek 10 Euro, nënkuptoi Kumbaro, duke marrë si shembull Goncourt-in) që do „e godasin“ me çmim vitin që vjen, i këshillojmë, duke qenë se nuk humbet sidoqoftë asgjë, veç ta refuzojë atë. Nganjëherë zgjidhjet mundet të jenë edhe mohuese.



No comments:

Post a Comment