Dy shkrime diametralisht të kundërta këto ditë në shtyp për romanin historik të sapohedhur në qarkullim të Mira Meksit „Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë“, njëri shkatërrimtar i E. Ypit tek MaPo dhe tjetri panegjirik i Sh. Dodës tek Panorama, më ndërmendën një copë humoristike të Mark Twain-it, lexuar dikur në rininë e hershme, që titullohet „Gazetaria në Tennessee“, në mos gabohem i përfshirë në vëllimin „Tregime amerikane të shekullit të XIX“, botuar në vitet 80-të në Tiranë.
Ndërsa për Dodën romani në fjalë është „…një rrëfim i gjarpërushtë, fryt dhe shpërfaqje e natyrës së qashtër labirintike që karakterizon thelbësisht poetikën rrëfimtare të Mira Meksit, jo vetëm në rrafshin e strukturësimit rrëfimor, në ndërthukjen labirintike të skenave me njëra-tjetrën, apo të ndërlidhjes së skenave të sunduara nga aksioni fizik me syresh të sunduara nga përjetimi psikik, por edhe në rrafshin e gjuhës dhe stilit, e ndërthukjes së fjalive sipas një sintakse labirintike, ku njëra fjali shtratëzohet nga brenda një fjalie tjetër sipas një logjike rrëfimtare digresive, apo progresive, për të na përcjellë një vështrim në retrospektivë apo në perspektivë“, për Ypin është: „Asnjë stil, asnjë sugjestion, asnjë energji, mediokritet i gjallë, boll me parathënien e shkruar vetë dhe faqen e parë… S’kam pse e pi të tërë Adriatikun për të mësuar se uji i detit është i kripur. Mjafton të prek një pikë me majën e gjuhës… Para llaftarive letrareske të Mira Meksit gërrhitjet verbale dhe grafologjike të analfabetëve funksionalë janë Mozart e shkuar Mozartit… Intuita pra s’më ka tradhëtuar. Sa mirë paskam bërë që gjatë viteve s’kam lexuar asgjë nga Mira Meksi, kjo grafomane“ e në Facebook shton ( e pabotuar në gazetë): „… shpresova se fjala ishte për të kundërtën e asaj që thonë për martesën, pra se libri që kisha përpara do ishte një qyp me dy gisht mut në krye dhe brenda plot me mjaltë. Por u gabova. Mender romani i Mira Meksit është një qyp plot me mut“ (sic!)
Autori i këtyre rreshtave nuk e ka lexuar librin e Meksit, por mëton të mos e lexojë e kjo nuk të bëjë me cilësinë dhe vlerat që mund të ketë ai libër në të vërtetë, por me atë që shkruhet për të e që supozohet të bënte efektin e kundërt. Besoj se kështu u ndodh edhe shumë të tjerëve e nuk do shumë mend të kuptosh se ky lloj kriticizmi, në mund të quhet e tillë dërdëllisja e shërbetshme e Dodës dhe masakrimi kanibalesk i autores nga Ypi, është një nga arsyet që shpien në të lexuarit gjith’ e më pak të autorëve shqiptarë, në të lëvruarit gjith’ e më keq të shqipes, në përballjet e përditshme absurde pozitë - opozitë ku e zeza bëhet e bardhë dhe anasjelltas e kështu me radhë, deri në mosbesim, lodhje cinike dhe neverinë që bashkëshoqëron ndjesinë e humbjes deri edhe të identitetit.
Ka të ngjarë të të ndodhë edhe e kundërta: që ta marrësh e ta lexosh librin e Meksit, nisur nga therja e Ypit e të mos e zësh me dorë pasi ke lexuar Dodën.
Por më së shumti ndodh ajo që nuk duhej të ndodhte e që ndodh vërtet çdo ditë: pakkush u beson përrallave të medias, e cila e ka humbur ndoshta pa kthim sensin e masës. Në rastin në fjalë, viktima është autorja dhe lexuesi dhe i gjithë procesi kundërprodhues.
E habitshme është, duke u nisur nga premisa se aktorët sado-mazo të promovimeve / kasaphanave kësisoj nuk janë të leshtë, por e bëjnë këtë me dëshirën e dukshme për të reklamuar / denoncuar mallin, nuk reflektojnë mbi faktin se lexuesi i mundshëm me një grimë kulturë a priori nuk ka gjasa të ndikohet as nga njëra e as nga tjetra palë dhe nuk e ha aq lehtë sapunin për djathë. Atij i mbetet veçse të largohet e kjo është ajo që ndodh dita-ditës.
Mund të gjesh subjekte të panumërta për humor të zi kur të shfaqen për të satën herë në ekran botuesit kronikë të Toena-s, Diturisë, Pegit, Dudajt etj. e reklamojnë idealet e tyre libreske, ndërsa për autorët shqiptarë, letërsinë vendase, e për pasojë logos-in e kombit, nuk merakoset kush dhe ligjërimi, për fat të keq jo vetëm ai letrar - kjo do të qe gjysma e së keqes -, i ka kaluar me kohë përmasat e qesharakes, për t’u zhvendosur me ngulm e hapa të madha drejt zonave të errëta të groteskut dhe makabritetit.
Javën tjetër nis Panairi vjetor i Librit. Dashamirësve të këtij të fundit mund t’iu urohet në Ypiançe, mallkueshëm në pamje të parë, por jo pa kuptim në të dytën: Mos u shittë asnjë kopje, mos shkeltë këmbë lexuesi aty, u djegshin treçereku i librave! - ndoshta veç kështu do të bëhej tabula rasa e do të mund të rilindte nga hiri Feniksi ynë prej letre.
No comments:
Post a Comment