Admiruesit e Kadaresë me siguri janë trishtuar goxha kur mjeshtri deklaroi publikisht para disa vitesh se nuk do të shkruante më letërsi të mirëfilltë. Për fat të mirë ai nuk po e mban fjalën.
Pjesa më e madhe e librit të tij të fundit „Mëngjeset në Kafe Rostand“ është letërsi e mirëfilltë, madje e një niveli të tillë që jo vetëm konkurron me disa nga veprat e tij më të mira si „Muzgu i perëndive të stepës“ dhe „Kronikë në gur“, duke i plotësuar e pasuruar ato në kohë e me personazhe të tjerë, por edhe duke i tejkaluar ato shpeshherë, nëse mund të flitet me terma të tillë që i shkojnë më për shtat atletikës, se sa letërsisë, aq më pak letërsisë shumë të mirë, për të mos thënë të shkëlqyer, që K., siç dihet botërisht, shkruan.
Nëse copat e tjera të këtij vëllimi i përforcojnë lexuesit mbresën se K. vazhdon të shkruajë me të njëjtën cilësi si gjithnjë, qoftë edhe shënime kritike, portrete, mëtime për letërsinë bashkëkohore shqipe a klasike, historike apo politike etj., dy pjesët më të gjata „Coffeehouse days“ dhe „Kukulla“, e sidomos kjo e fundit, dëshmojnë një lirizëm e drejtpeshim delikat të disa regjistrave që nuk po dimë t’i kemi hasur në formë kaq të kulluar e të përqëndruar tek autori e që do të kërkonin një penë tjetër, ku e ku më të fisme se atë të shkruesit të këtyre radhëve, për t’i qëmtuar siç duhet.
Tek „Kukulla“ çdo fjalë është në vendin e saj; struktura kristaline e këtyre „kujtimeve“, por që nuk janë veç të tilla, si çdo gjë e bukur që nuk është veç një, mbahet nga vetvetja, nga mjeshtëria e rrëfyesit, nga vërtetësia, nga humori i tij i hollë, nga brishtësia e dhembshurisë jo vetëm për nënën, të cilës i kushtohet kjo novelë, të themi, por për njeriun, siç është ai vërtet e, jo së fundmi, nga këndvështrimi që ka zgjedhur autori për ta bërë këtë.
Nëse do të kishim një humor tipik shqiptar, siç thuhet për anglezët p.sh., ai shfaqet këtu në formën e tij më të kultivuar, e cila nuk të bëjë aspak me të qeshurit me të madhe, apo gajasjen, por me një lloj gazmendi të brendshëm jo pa melankoli, që nuk e kalon kurrë një skaj të caktuar qesëndie, që është, nga ana tjetër, edhe toleranca maksimale për ta pranuar tjetrin siç është, e që përzihet në zonat asnjanëse me dhembshurinë për këtë të fundit, duke shmangur kështu mjeshtërisht rreziqet kryesore që i kanosen gjithkujt, kur nis të shprehë të tilla ndjesi: patetikën, klishetë, apo edhe kitsch-in.
E njëjta gjë ndodh edhe me dhembshurinë, që këtu vjen në formë bryme, aq delikate e aq e brishtë, saqë vetiu të ndërmenden Hokusai, Lindja e Largët, haiku dhe teatri japonez Kabuki, të cilin autori, që është mëse i vetëdijshëm për atë që bën, e përmend edhe vetë diku në hyrje dhe që e përcjell si lajtmotiv gjithkund me asosiacionet e gipsit, të kukullës, të lehtësisë e, jo së fundmi, me figurën e Izmini Kokobobos, apo thjesht emrin e saj, që vetëm si i tillë do kish qenë i vetëmjaftueshëm për ndonjë kompozim modern alla John Cage: Izmini Kokobobo; pikë.
E vendosur kjo fillimisht në sfondin e Gjirokastrës së „Kronikë në gur“ për t’u zhvendosur më pas drejt Tiranës së pasluftës, ç’prej shtëpisë danteske të Kadarenjve drejt këndeve të drejta të apartamenteve minimaliste alla Le Corbusier pa shpirtin e këtij të fundit, prej një kohe tejet të hershme, pothuajse surreale drejt realitetit të thatë e irreal socialist, kohë që mund të lidhen me njëra-tjetrën veç me ndonjë „deus ex machina“ e që tek K. është fillimisht një udhëtim absurd me taksi e pastaj, përfundimisht kësaj here, me një kamion të mbushur me velenxa, relikte e gjithfarë gjësendesh prej bakri, për të shtegtuar edhe më larg në një kohë tjetër, drejt Moskës e së fundmi drejt Parisit, rrugëtimi i rrëfyesit, më shumë se në kujtesë, apo në gjeografi, ndodh në veprën e krijuar prej atij vetë: gjen aty „Koha(ën) e shkrimeve“, „Kronikë(n) në gur“ - siç u përmend më sipër, „Muzgun e perëndive të stepës“, „Dimrin…“ e shumë e shumë remineshenca nga vepra të tjera: ky udhëtim është në thelb autobiografik si i tillë, por jo vetëm aq: në do të bënim një krahasim nga bota e muzikës moderne, ai është mbi të gjitha një „Best of“ i Kadaresë, remastered, ku përpos motiveve e këngëve të njohura, të cilave autori, që i ka interpretuar ato edhe një herë, le të themi unplugged, u ka shtuar edhe disa të reja.
E nëse do të bënim një krahasim me botën e gurëve të çmuar, që K. i ka aq për zemër si figura letrare, mund të thoshim se koleksionit të tij të perlave, bizhuve më të shumtën të errëta, ai u ka shtuar edhe një tjetër të tillë, të madhe e fort të çmuar, me ngjyrë të çelët, si të thuash, topazi a sedefi.
Jua rekomandojmë fort!
*P.S.: shkruesi i këtyre rreshtave nuk është as studiues e as kritik i letërsisë, por vetëm thjesht lexues, ndaj këto shënime mëtojnë të jenë veç mbresa leximi e aspak shteruese.
No comments:
Post a Comment