29.7.15

Glosar për fjalorin udhëzues të B. Shehut

Insert
 
  Lajmi i fundit (derimë tani) nga Fronti i Hapjes së Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit qe romani i fundit i Bashkim Shehut „Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve“.
  E reja që ai përçoi qe një kumt filozofiko-letrar që kish të bënte me asgjënë dhe pafundësinë, me hiçin filozofik, me labirinte metafizike e me shpirtra, dhe kësisoj, më shumë se lajm, ai qe një kundërlajm, mirëpo media jonë e kujtoi për të tillë, për lajm pra, dhe e përcolli si të tillë dhe kjo përmbante goxha humor brenda, nga ai i ziu, konfuzi, i çakërdisuri, siç është edhe ajo vetë, tagjia për Rosinantët tanë të babëzitur për sensacione e bombastikë, por të cilëve aq u bën për skolastikë e, aq më pak akoma, për letërsi të mirëfilltë.
  Asgjë e re pra nga Fronti i Dosjeve dhe Shehu është shkrimtar që jeton në Barcelonë; ndërsa dosjet e Sigurimit hapen në Parlament, ndanë shëtitores „Dëshmorët e Kombit“ a mbahen mbyllur po aty; banorët e tij i hapin a i mbajnë mbyllur ato, mediatikë të dashur, e jo Shehu a shkruesi i këtyre radhëve.
  Kaq pra për dosjet e Sigurimit; tani e tutje do të bëhet fjalë për misterin e dosjeve të Shehut, të cilat nuk janë të kësaj bote. Edhe ç’vijon pak ka të bëjë me ish-spiunët, me Enver Hoxhën, me Bllokun, me ish-Sigurimin e kështu me radhë. Dossierët gjenden ca faqe më tutje në këtë gazetë a shumë klike njëherësh në rrjet. Ndërkohë që ç’më sipër nuk është pjesë e shkrimit për librin e Shehut; është përjashtimi nga rregulli letrar.

Glosar

  Shkrimi që vijon fare mirë mund të ish qëmtuar ç’prej librit për të cilin mëton të bëjë fjalë. Pasi „romani“ i ri i Bashkim Shehut, që më shumë se i tillë, roman pra a fjalor siç titullohet, është diç si enciklopedi idesh dhe arketipesh që derivojnë të tjera syresh, në njërin kah drejt pafundësisë; në tjetrin, në mos drejt hiçgjësë, së paku drejt elementëve me të cilët, sipas grekëve të vjetër e jo vetëm atyre, është krijuar gjithçka: zjarrit, ujit, dheut dhe ajrit.
  Hindutë, në shkrimet e tyre të vjetra, u shtojnë atyre gjithashtu edhe një të pestë: eterin, i cili i korrespondon shpirtit a vetëdijes, çfarëdo qoftë ky a ajo, e ky është, në fund të fundit, edhe misteri i dosjeve në librin e Bashkim Shehut.
  Për ta thjeshtëzuar ca këtë më sipër, por edhe çka më poshtë, le të marrim një shembull të dobët: merrni një fletë letër e shkruani diçka mbi të, rrokjen OM a ndonjë simbol tjetër ndoshta, a mos shkruani asgjë mbi të, dhe kopjojeni n-herë, ku n është baraz me pafundësinë në fotokopjuesin atypari.
  Varësisht nga sasia e karbonit në kartushë, kopjet do të vijnë ose duke u bërë më të errëta, deri në të zezë, nëse sasia e karbonit nis e shtohet, ose duke u zbehur, nëse sasia e tij në kartushë vjen e pakësohet. Nëse nuk keni bërë kujdes ta vini origjinalin mënjanë, por e keni shkartisur atë me kopjet e përftuara, si letrat e bixhozit para një loje të re, do ta keni thuajse të pamundur ta gjeni sërish atë, origjinalin pra; aq më të pamundur do e keni për ta gjetur atë po patët harruar nëse keni shkruar a nuk keni shkruar diçka mbi fletë; edhe më shumë akoma kur nuk e dini se kush ka shkruar a mos shkruar mbi fletë, siç edhe do e humbisni fillin përfare nëse nuk e dini se cili paskësh shkruar a jo mbi fletë, se kush i paskësh shumëfishuar ato, dhe përballeni në një kohë më të vonë me n-kopjet që e përmbajnë origjinalin, hiçasgjënë ndoshta, në pafundësinë e tyre, porse që nuk mund të gjendet më.
  Mirësevini në botën e „Fjalori…“-t të Shehut. Keni hyrë tashmë në një iluzon të madh, marramendës, por që është edhe ai një nga kopjet, shëmbëllimet e një iluzioni edhe më të madh se ai vetë, a e shumë të tillëve, botës ku jetojmë, gjithësisë. Në hinduizëm e budizëm ky iluzion quhet maya.
  Përmendim hinduizmin ngase nuk përfshihet në tekstin e Shehut, por mund t’i shtohej gjithashtu atij si zë më vete e pa e dëmtuar pjesën tjetër - siç edhe çdo koncept tjetër çfarëdo, pasi ai, shkrimi, libri (romani nuk po na vjen ta quajmë) është tekst i hapur dhe i ndryshueshëm: mund t’i hiqen zëra e mund t’i shtohen po ashtu të tjerë pafund - ngaqë modeli, ideja e librit në botën e ideve absolute, objektive, të Platonit, por edhe ideve subjektive në të tjera rryma filozofike a shkencore, modeli pra, kopja e së cilit, shëmbëllimi i së cilit ky shkrim, ky tekst, ky libër mëton të jetë, nuk është as më pak e as më shumë se Libri Total, qoftë a mos qoftë ai gjëkundi, por që na rrethon sidoqoftë në një shëmbëllim të tij të materializuar e që është bota që na rrethon, gjithësia e, jo së fundmi, në shëmbëllimin që qenkëmi vetë ne, çfarëdo qoftë qenia a shpirti ynë.
  Në Librin e Jetës, koncept abstrakt ky i shumë besimeve fetare, shkruhet diku, prej dikujt, bëmat e gjithkujt në këtë botë e në të tjera; në Librin Total, zgjerim ky i Librit të Jetës me dimensionet e mundësive të pandodhura, me përmasat e mënyrës lidhore, kushtore, por ndoshta edhe dëshirore, i bie kështu të shkruhet jo vetëm ajo që është, por edhe ajo që mund të qe, siç edhe ajo që nuk është. Për njerëzit kjo do të nënkuptonte librin, dosjet, arkivin, ku shkruhen jo vetëm bëmat e tyre, por edhe çka mund të kishin bërë, deri edhe çka nuk kanë bërë e, së fundmi, çka edhe nuk mund të bënin edhe po të donin. Po ta përcaktonim shpirtin, vetëdijen, qenien njerëzore, Atman-in hinduist, jo vetëm në ontologjinë e tij si të tillë, pra për atë çka është, por edhe në çka mund të qe, ka qenë e do të ishte e kështu me radhë, pra në të gjitha kohët e mënyrat e mundshme që ofron gjuha, ky kafaz gjuhësor, i shkruar a jo, do të ngërthente përcaktimisht frymën, shpirtin, vetëdijen e njeriut, e cila do të kishte, në fund të fundit, atributet e frymës, qenies dhe të vetëdijes së Origjinalit, prej nga u kopjua, të Hyjit, Zotit a Qoftëlargut, varësisht nga aksioma që kemi zgjedhur për të ngërthyer atë. A nuk i fryn Zoti argjilës nga fryma e tij për të krijuar Adamin, frymën njerëzore? A nuk shkruhet po aty: „Ne ju krijuam sipas shembullit tonë“?
  Rrjedhimisht, çdo ndryshim që ndodh a i ndodh shkrimit fillestar, qenies, shpirtit të ngërthyer aty, në arkivë, dosje a libër qoftë, ka pasoja të drejtpërdrejta për njerëzit dhe gjallimin e tyre në botë, derivate këto kështu të fundit të shkrimit a fjalës, pasi „Në fillim (paskësh qenë - shën. i shkruesit) ishte fjala“. Gjithkush e njeh shprehjen: kështu është e shkruar, ose ashtu qenkësh e shkruar… e cila nënkupton shkrimin e gjithçkaje në ndonjë libër të shenjtë, skicë që Krijuesi i paskësh bërë gjithësisë dhe banorëve të saj para se ato të krijoheshin, diç si planet që bën një arkitekt para se të ndërtohet një ngrehinë. Sikur të supozojmë se në atë libër, apo arkiv, apo arkiva, të cilat në fund të fundit janë esenca prej nga përftohen botët, njerëzit e çdo qenie, natyrore a mbinatyrore, siç tretësirat e parfumeve përftohen prej esencash, atëherë mund të arrihet në përfundimin se ato, bota dhe njerëzit pra, janë kopje, shëmbëllime, reale a jo, të shkrimit që u ka paraprirë, të cilit i ka paraprirë po ashtu diçka, një ide ndoshta.
  Mirëpo kjo do të qe një shëmbëlltyrë e jona, e kopjeve pra, për Krijuesin, i cili i bie kështu të paskësh patur ide e kështu me radhë, e mu këtu mendimi nis e stepet, pasi ndodh singulariteti i tij, Big-Bang-u, urdhëresa e katërt e hebrenjve: „Mos bëj gdhëndje ose shëmbëlltyrë të asnjë gjëje që ndodhet lart në qiej ose këtu poshtë në tokë ose në ujërat nën tokë!“. Nëse Krijuesi, Arkitekti i Madh gjithashtu, për një trill a shkaqe relativiste sipas Ajnshtajnit, jo vetëm nuk e ka mbaruar planin e tij, por e korrigjon atë dita-ditës, heq e shton aty, fshin diçka e mëton diçka tjetër, ndërkohë që kopjet janë jetërzuar ndërkaq, diç si një arkitekt që ndërmerr ndryshime në plan gjatë kohës së ndërtimit, ndërkohë që ngrehina banohet, prish diku e shton diku tjetër, me një fjalë, nëse Krijuesi nuk ka mbaruar punë për një javë, por vazhdon të punojë ndërkaq dhe bota nuk është mbaruar - që do të nënkuptonte kjo, mes të tjerash, edhe Perëndinë e ligë të gnostikëve, por edhe ndoshta ndonjë Zot dialektik që vjen e bëhet gjithë e më zoti, gjithë duke punuar mbi veprën e tij - e gjitha kjo më sipër bëhet jo vetëm e koklavitur, por e pamundur për t’u zhbiriluar.
  Ky do të qe edhe labirinti i përsosur, labirinti pa hyrje e pa dalje, ku lindesh brenda e vdes po aty, shto këtu edhe pandehmën që ke ardhur në këtë jetë nga një mesore e tij e mbase përfundon kur del prej këtij bigëzimi i vdekur po në ndonjë mesore tjetër. Le të shtojmë këtu, si për ta bërë këtë më sipër edhe më të koklavitur, më të nyjëzuar, më të degëzuar, që ndoshta Krijuesi nuk është Një, por shumë të tillë, diç si në hinduizëm ku gëlojnë as më pak e as më shumë se rreth 300.000 zota (numri i dikurshëm i banorëve të Tiranës), e të hedhim në këtë kazan alkimist edhe hipotezën tjetër që Krijues të vërtetë ndoshta nuk ka fare, - nëse bota është e pakrijuar e asgjë nuk lind nga hiçi. (A nuk përmban rreshti i dytë i Biblës përpos shpirtit të Zotit edhe ujin?) - por veç Shndërrues, e u vemë këtyre më sipër përkundër qiellin e dheun si dy pasqyra, edhe ato të përkundërta. Le të hedhim tash edhe hapin e fundit drejt pafundësisë, elikzirin në kazanin tonë: le t’ia lyejmë a lëmojmë kthinat labirintit më sipër deri në pasqyrim jo vetëm të vetvetes, por edhe të humburve nëpër të e të cilët nuk po dinë më se cilët e çka janë, kipcat a shëmbëllimet e tyre, cilët e çka qenkëshin prej tyre dhe ç’qenkësh e shkruar për to, aq më tepër kur nisin e shkruajnë edhe vetë si disa figura të librit të Shehut.
  Labirinti i përsosur është në të njëjtën kohë edhe ferri i përsosur, i pasosuri. Humbja e fillit është po aq e përsosur. Por fillin e kanë humbur vetë Minotaurët, të humburit e këtij labirinti, që janë ata vetë dhe të tjerët përreth; po ata vetë janë njëkohësisht edhe burgu i tyre. Ferri nuk janë vetëm të tjerët, porse edhe ti vetë; ti, bashkë me të tjerë, ju keni ndërtuar nga brenda labirintin ku gjendeni e tash ju duhet të dergjeni atje për kohë të pacaktuara. Si mund të dilet që atje? E vetmja mundësi mbetet hapja e Librit ku qenkësh shkruar, kemi, ke shkruar vetë ti shpirtin tënd e fatin tënd e bashkë me të, fatin e shëmbëllimeve të tua, fatin e të tjerëve. E kjo nuk është thjesht hapja e dosjeve, por shkrimi siç duhet i tyre, i shpirtrave, i vetëdijes tonë me fjalë të tjera, me liri tjetër, ndoshta të pafjalë. Pasi ndryshimi i vërtetë mund të ndodhë veç në vetëdijen tonë. Pasi dosjet tona, Bibla jonë e treçerek shekullit të fundit, Libri ynë i Jetës, qenkëshin shpirtrat tanë e ata i paskëshim shkruar nëpër dosje Sigurimi, me burg, me spiunllëk, me dekë, me mort, me mungesë lirie, me lëndë labirintesh. Që është veç deri diku ajo lëndë që Shekspiri pati shkruar tek „Shtrëngata“, lëndë ëndrrash pra; është veç lëndë ëndrrash të liga, lëndë makthesh, ëndrrash të para ligsht me sytë hapur në librin e Shehut.
  Kopjet e këqija të pandehmës gnostike (sepse besimet janë të tilla: pandehma - shën. i shkruesit) janë gjendur gjithnjë me shumicë në historinë e njerëzimit, kur në majë të strukturave hierarkike, totalitare a diktatoriale është gjendur dikush që luan rolin e Perëndisë, rolin e epërm të shëmbëllimit, kopjes së saj mbi dhé apo të ndërmjetësit, Udhëheqësit për tek e vërteta e fundme, qoftë si shëmbëllim i Hyjit (faraonët), qoftë në formën e pushtetit të dhënë prej sipër, të trashëguar apo të mbështetur në besime fetare a tradicionale (mbretër, papë, profetë të rremë, tiranë, perandorë, diktatorë etj.); qoftë si ideologji të skajshme diktaturash komuniste apo fashisto-naziste, bie fjala, të cilat mëtojnë edhe ato të zenë vendin e Librit të Librave, Librit Total, siç tek ne p.sh. në të kaluarën jo aq të largët, në Shqipërinë hoxhiste. Por nuk po duam të ndalemi këtu, as tek Sigurimi i Shtetit asokohe, sepse në labirintin e Shehut ky bigëzim është i papërfillshëm, ndonëse në dukje ngjarjet ndodhin aty.
  Është e pamundur që një shkrim si ky të ngërthejë të gjithë përftimet e spektrit që përshkruam përciptas më sipër, aq më shumë kur figurat, kopjet, shëmbëllimet, udhëheqësit, pasardhësit dhe Blloku, kanë edhe ato kipcet e tyre, ëndërrojnë po ashtu në në këtë ëndërr të keqe që është edhe fall njëherësh, kapërthehen e shkërbehen me njëra-tjetrën duke shkruar kështu edhe ata fatin, shpirtin e tyre e të tjerëve.
  Na duhet vetiu pra të kufizohemi e të flasim për vendin që zë libri i Shehut në letrat tona e më gjerë, autor i cili, në hierarkinë e shkruesit të këtyre radhëve, me këtë „roman“ e ka katapultuar veten dhe veprën e tij në majat e saj.
  Do të kish mjaftuar vetëm zëri „Labirinti kozmik“ me nëndegëzimet e tij për vlerësimin më lart. Naun Gjika është sivëlla i shumë kundërheronjve botërisht të njohur: i Çiçikovit të „Shpirtra të vdekur“ të Gogolit, i Herr K. të „Proçesi“ të Kafkës, i Zotit Murke të Bëlit, për të përmendur vetëm disa, e sa e sa të tjerëve; në letrat tona ai është sivëllai i Mark Alemit, të nëpunësit të „Pallati i Ëndrrave“ të Kadaresë, por duke mos qenë njëherësh asnjëri nga këta, pasi ferri i Bashkim Shehut është një tjetër, ai vetë është Krijuesi i labirintit të tij që shndërrohet pa pushim, Dedalusi i Minotaurëve të tij, të cilët e kanë shtënë njeriun Bashkim Shehu në burgun e tyre, e të cilëve autori Shehu u vë kundruall pasqyrën sferike të gjithësisë, përjetësinë, pafundësinë, agnosticizmin e tij, mëdyshjen, duke i lënë kështu vetëm për vetëm me të, me pasqyrën e pafund pra, pasi letërsia mund të jetë e është këtu mes të tjerash edhe shpagim, larje hesapesh, hapje dosjesh, drejtësi e munguar në botën tjetër, në botën ku gjallojmë, në labirintin kozmik.
  Gjenden aty edhe referenca të drejtpërdrejta të Borhesit, të specializuarit, si të thuash, në ndërtimin e labirinteve, por ndërsa tek ky i fundit labirint është deri dhe shkretëtira, Shehu shkon edhe një hap më tutje dhe e bën labirintin e tij të padukshëm, duke përdorur si lëndë të parë në mos hiçasgjënë, një material të papërcaktuar, një materie të errët: padijen që është njëkohësisht edhe padi. Për shijen e shkruesit të këtyre rreshtave kjo është gjeniale.
  Letërsia e mirë ka qenë gjithnjë topografi e zgjeruar e botës tonë me atë që është e nuk është ajo, për të ndërtuar një botë tjetër paralele, më të vërtetë e më përfshirëse se ajo. Duke qenë se kësaj ku gjallojmë i mungojnë dukshëm përmasat shpirtërore të parajsës, por i ka me tepricë ato të purgatorit, në mos të skëterrës, shkrimtarët, duke shkruar në Librin Total fletët e tyre, dosjet e tyre e të shoqërisë, duke ngërthyer aty më së shumti shpirtin e njeriut, shpirtin e botës pra, vetëdijen e saj, kanë projektuar kështu botën tjetër, e meqënëse parajsa nuk ofron konflikt, i domosdoshëm ky për të shkruar (pasi në Parajsë nuk ka pse shkruhet asgjë), kanë ngritur kështu më së shumti ngrehina purgatoresh e ferresh nga më madhështoret. Labirinti i Shehut është një prej tyre dhe ai është fort mbresëlënës, pasi ndërtohet me lëndë të parrokshme dot nga mendja: me frymë të liga a jo njerëzish e hyjnish, për të cilat nuk mund të thuhet asgjë, me pafundësi, me asgjënë vetë të përfshirë aty, dhe, siç e thamë, me padi-je. Mund ta marrësh këtë libër e ta vendosësh pa drojë në çdo raft librarie europiane a amerikane e ai do u rrijë mirë sivëllezërve të tij, do e përfaqësojë më së miri letërsinë e re shqipe, autor nga më të spikaturit i së cilës Shehu padyshim është.
  Nuk është zbavitje leximi i librave të tij; ai i ngjan më shumë një kalamendjeje në një karusel gjigant, në një sferë a elips pasqyrë me ameba shpirtrash në mes, nga ku zbret, pasi e ke mbaruar jo pa vullnet e duke e bërë zemrën gur „romanin“, me marrje mendsh e nuk ndiehesh fort mirë, pasi, më shumë se i tillë, roman pra, ky tekst është përzierje zhanresh ç’prej filozofisë, ezoterikës, përsiatjeve, esesë e deri tek fiksioni, letërsia pra. Përvoja e vërtetë e leximit, shija e tij e vërtetë, të vjen vetëm pasi e ke mbaruar së lexuari e ca kohë më pas, siç rakia e mirë që të ngroh gjoksin e të përçon shijen e saj veç pasi e ke shpënë në fund. Dhe kjo e Shehut është vërtet pije e fortë, lexim i vështirë e që nuk e mban gjithkush.
  Aq më pak media tejet sipërfaqësore dhe e ngutur e Mëmëdheut që e përcolli promovimin dhe leximin e tij siç është edhe vetë: në mënyrën më primitive, më provinciale, më pasdiktatoriale e tranzicionale të mundshme, duke e trajtuar letërsinë, romanin e Shehut në këtë rast, siç bën rëndom, si lajm, si politikë, si fast food për konsumuesin e babëzisë së asaj vetë. Por edhe kjo, pritja që iu bë „Fjalori…“-t, gjendet paraprakisht po aty, është e shkruar në librin e tij.
  Shpresojmë që edhe ky shkrim që, siç thamë, mund të qe fare mirë një zë në „Fjalori..“-n e Shehut, të ketë ndikim, në mos në fatin dhe shpirtrat e banorëve të labirintit nën qiell të hapur, siç mund ta ketë shkrimi i autorit për t’i çliruar ata ç’prej aty, të ketë ndikim pra në leximin e kuptimin e origjinalit të tij, shëmbëllim i të cilit ai është, i „Fjalor(it) udhëzues për misterin e dosjeve“, libër që rrjedhimisht nuk kemi se si të mos e rekomandojmë fort…



*P.S.: shkruesi i këtyre rreshtave nuk është as studiues e as kritik i letërsisë, por vetëm thjesht lexues, ndaj këto shënime mëtojnë të jenë veç mbresa leximi e aspak shteruese.

No comments:

Post a Comment