17.12.10

Zen


- Kur shihemi në sy është sikur të vësh dy pasqyra përballë. Çfarë pasqyrohet në to?
- Një sferë pasqyrë nga brenda pasqyron pafundësisht pasqyrimin e vetvetes. Nuk ka gjë më pa fillim se kjo. E pa fund.
Ja kështu je ti dhe bota. Nëse kërkon pikënisje e fundpasoja rrotullohesh kotësisht drejt boshtit të kohës.
Mos kërko e mos gjej pra më mire. Lëri idetë të fluturojnë mbi vetëdije si retë mbi ujë. Është e njëjta gjë, i njëjti element; dy pasqyra përballe, syri dhe bota.
Je kova e bota është pusi. Të dyja mbushen e zbrazen, ashtu siç retë mbushin pusin e detit dhe mbushen nga ai.
- Çfarë është thelbi i ujit?
- Në thelb ujët ështe si forma që ai merr. Është lëvozhgë e thelb njëkohësisht. Të dyja, forma e përmbajtja, nuk janë gjë tjeter veçse dy pasqyra të vendosura përballë që pasqyrojnë njëkohësisht vetveten dhe pasqyrimin e saj në të dy kahet, nga brenda jashtë e nga jashtë brenda. Pyetja e përgjigja, fillimi e fundi, gjithçkaja dhe hiçi, jeta e vdekja, pula dhe veza.
- Po fjala është e tillë?
- Natyrisht!
- Nuk është absurde të flasësh për atë që nuk thuhet dot?
- E kotë është!
- Atëherë?
- Fjala pasqyrohet në heshtje sikur Narcisi në pellg. Po edhe heshtja në sytë e fjalës.
- Çfarë është përtej tyre? Nëse e thua nuk është. Nëse hesht nuk është. Të flasësh dhe heshtësh njëkohësisht nuk mundesh. Si do të dalësh nga ky labirint?
- E çfarë bëri guru?
- Në çastin kur unë thashë "përtej" e zuri gjumi!


















No comments:

Post a Comment