13.12.10

The person you are calling...

nga ditari i G.


The person you are calling...


Jashtë është ftohtë dhe erret shpejt, bora po rëndohet në shtresat e fundit të atmosferës, ngurron akoma, por do të bjerë; stina e festave të mbush gjithnjë me trishtim të pashpjegueshëm e të rëndë si pluhuri dhomat e pabanuara, si kafe morti; nëpër ekrane luhen gjëra që nuk përputhen me gjëndjen shpirtërore; telefoni hesht; të gjithë janë të zënë me njëri-tjetrin e askush me ty, e kështu nis e i ngjan gjithnjë e më shumë borës që do të bjerë, e shumta nesër, do të mbulojë rrugët, do t'i bëjë të rrëshqitshme e njerëzit të mallkojnë, do të shkelet nga makinat e do marrë një ngjyrë të murrme, deri sa të kalojnë këto ditë e të shkrijë e të zhduket netëve kanaleve, po ashtu siç erdhi, pa u vënë re nga askush, si makina e urgjencës, kur kthehet nga misioni, me drita e sirena të shuara, deri sa dikush të marrë në telefon në sekretari se një tjetër ka tentuar të vrasë veten dhe ia ka dalë. Motivi i telefonatës: nuk dimë se kush merret me këtë punë: ju, policia, zjarrfikësit, apo morgu, por këta të fundit nuk kanë numër në librin e telefonave, kështuqë lutemi të na lidhni me ta nëse mundeni. The person you are calling...
Kërkon kokën pastaj dhe së fundi buzëqesh, pasi mundej të mos e kishe gjetur as atë; ish rastësi që e ndeshe në errësirë, disi të zhvendosur nga vendi ku të bëhej se të kujtohej se e pate lënë së fundi, e zure me duar dhe vendose të mos e lëshoje më vetëm në hapësirë. Teoritë e konspiracionit, sipas të cilave disa kontrollojnë shumicën, dhe sa më lart në hierarki, aq më e lartë masa e kontrollit, të tërheqin ashtu si feja, por problemi me to është mungesa e dëshmive, kur vjen puna për t'i mbushur mendjen robotëve se kanë zot, se janë ideuar për një qëllim të qartë e të caktuar, me një fjalë për t'u shërbyer atyre që e bënë atë punë; problemi bëhet edhe më brizant kur kapaciteti i këtyre të fundit rëndohet nga moria dhe kompliciteti i të dhënave dhe shpërthen apo i digjen siguresat; nga këtu bashkëbiseduesi bie në dilemën e kë të marrit në telefon: mekanikun, shërbimet komunale, policinë, zjarrfikësit, shoqërinë elektrike, mjekët industrialë apo morgun e llamarinave. E me këtë dilemë nuk mund të jetojë dot më si më parë; motivi shndërrohet në automotiv, apo laitmotiv, predikuesi shndërrohet në mëkatar dhe kur vijnë së fundi ata që duhet të vijnë, gjejnë jo një, po dy kufoma, që duhen natyrisht ndarë në përgjegjësinë e palëve që i transportojnë: telefonatat nisin nga e para dhe përsëritet përsëri monoton, si mund të qe ndryshe, nga sekretaria telefonike: the person you are calling....


31.10. 1998



No comments:

Post a Comment