nga Arb Elo
Nuk do e kisha marrë mundimin për të shkruar saktësimin e mëposhtëm, së pari, sepse lajthitje të tilla më ndodhin vetë me shumicë, së dyti, ngaqë do të vë re një të tillë edhe te një shkrimtar që e kam për zemër, Kadarenë në këtë rast, dhe, së fundmi, ngase vërejtje të tilla nuk është se janë medoemos të nevojshme, aq më tepër kur janë vetëm detaje anësore të një vepre që qëndron fare mirë edhe pa to.
Mirëpo në rastin në fjalë, lajthitjen fillestare e gjej të shumëfishuar e të marrë për të mirëqenë edhe nga lexues e admirues të shumtë të Kadaresë, e gjej në fjalën e presidentit Nishani kur i jepet »Dekorata e Flamurit Kombëtar« shkrimtarit vitin që shkoi, e gjej në parathënien e shkruar nga Kadareja librit të gazetares Eni Vasili »Unë kam vrarë«, e gjej në librin e fundit të mjeshtrit »Mëngjeset në kafe Rostand«, e gjej në një shkrim të Rudolf Markut, e gjej në blogun e një mikut tim, admirues i thekur ky, si edhe unë vetë, i shkrimtarit tonë të shquar, e dëgjoj në biseda me miq e mikesha si fakt të kryer, ndërsa së fundmi ma dërguan me e-mail bashkë me vargje të tjera në shqip për hijeshinë femërore.
Lajthitja rrezikon të shndërrohet në legjendë urbane letrare pra, ndaj edhe nevoja për këtë saktësim.
Shkruan Kadare në »Mëngjeset në Kafe Rostand« (fq. 127), në pjesën e titulluar »Zonjat e vogla të letërsisë shqipe«:
(…) Si në një serial vetëtimash, një perlë e një tjetër poeti, Pjetër Bogdanit, përbën një nga kulmet botërore në portretizimin e hijeshisë femërore:
Me diell veshun, mbathun me hanë…
Ndërsa në parathënien e librit të Eni Vasilit »Unë kam vrarë« Kadare shkruan:
(…) Sfida të tjera, siç ishte sublimimi i pa asnjë kufi, i bukurisë femërore, qysh në mesjetën e vonë (portretizimi i famshëm i femrës shqiptare prej Pjetër Bogdanit »veshur me diell, mbathur me hanë«, për të dhënë vetëm një shembull, do ta vërtetonte këtë.
Thotë Bujar Nishani në fjalën e tij me rastin e dhënies së dekoratës së Flamurit Kombëtar, me gjasë duke cituar vetë shkrimtarin:
(…) Duke përfunduar me lejoni t’i bëj homazh paraardhësit të hershëm të Ismail Kadaresë, Pjetër Bogdanit, të huazoj vargjet e tij për të thënë se letërsia shqipe falë Ismail Kadaresë ngjan kudo e kurdo »veshur me diell dhe mbathur me hënë«
Shkruan Rudolf Marku për gazetën MaPo:
(…) Sa për veten time, mendoj se është rasti që të rrëfejë një mëkat timin: sa më tepër jam njohur me poezinë moderne të kohërave tona, aq më shumë kam jetuar dhe jetoj në atë gjendjen e mahnitjes e të admirimit për një varg poetik të Pjetër Bogdanit tonë, një varg poetik që ka vlerën e një Antologjie të tërë poetike: "veshur me diell e mbathur me hanë" (…)
Nëse ky ortek keqkuptimesh vijon kësisoj, ka shumë të ngjarë që vargjet e Bogdanit të interpretohen kështu në shkolla, të zënë vend në tekstet e librat aty, të merren pra të dhëna e ndaj është për të ardhur keq që saktësimin që vijon e bën dikush që nuk është as studiues i Bogdanit, as nuk ka ndonjë lidhje profesionale me letrat dhe as nuk shquhet si njohës i hollë i Biblës. Nuk është se duhet edhe ndonjë erudicion sipëror për të ardhur në përfundimin se vargjet në fjalë nuk i kushtohen as hijeshisë femërore e as femrës shqiptare, por janë një përkthim thuajse fjalë për fjalë, në mos citim, nga libri i fundit i Biblës, nga Besëlidhja e Re, Zbulesa.12 (Gruaja dhe dragoi* përkthimi është i shkruesit):
1 Pastaj një shenjë e madhe u duk në qiell: një grua e veshur me diell dhe e mbathur me hënë dhe mbi krye një kurorë me dymbëdhjetë yje.
2 Ishte shtatzënë e bërtiste nga dhimbjet dhe mundimet e lindjes.
3 Dhe u duk një shenjë tjetër në qiell: dhe ja, një dragua i madh i kuq, që kishte shtatë koka e dhjetë brirë, dhe mbi koka kishte shtatë kurora.
4 Dhe bishti i tij tërhiqte pas vetes një të tretën e yjeve të qiellit dhe i hodhi ato mbi tokë. Dhe dragoi qëndroi përpara gruas që ishte gati për të lindur, për të gllabëruar birin e sa,j kur ky të kishte lindur.
5 Dhe ajo lindi një bir mashkull, i cili duhet të udhëheqë të tëra kombet me skeptër të hekurt; dhe biri i saj u rrëmbye pranë Zotit dhe fronit të tij. (…)
Nuk më takon mua të gjykoj as për hijeshinë e përkthimit të Pjetër Bogdanit e as për rëndësinë e tij për gjuhën tonë; por, sidoqoftë, nuk më duket se figura e gruas te Gjoni ka ndonjë lidhje me hijeshinë femërore, apo femrën shqiptare në Mesjetë. Nuk më ngjan gjithashtu, po të lemë mënjanë aftësinë e përkthyesit e shqipërimin si të tillë, se kemi të bëjmë këtu me ndonjë perlë poetike të Bogdanit, veç në qoftë e tillë ajo e Gjonit.
Pa shumë lidhje me temën, por sa për t’i dhënë një ngjyrim lojcak e trivial interpretimit të pjesës së cituar më lart nga Zbulesa: ka një teori kijameti të radhës për momentin, nga ato të fundit të botës që përfliten thuajse çdo vit, që gjen te figura e gruas së »veshur me diell e mbathur me hanë« yllësinë e Virgjëreshës, ndërsa dragoi është Nibiru, planeti fantazmë i shumë teorive konspirative. Më 23 shtator të këtij viti.
Për më tepër mund të gugllojë gjithsekush lehtë. Nëse interesohet për kijametin.
No comments:
Post a Comment