Mbinjeriu, »njeriu i ri« dhe Antikrishti
Si ç’nuk mund të bëhet Jezu Krishti medoemos me faj për krimet që kanë ndodhur në emër të tij, ashtu edhe Karl Marksi nuk pse të bëhet drejtpërsëdrejti bashkëfajtor për gjëmat dhe krimet që u kryen në emër të filozofisë, teorive dhe manifestit të tij, siç edhe nuk mund t’i vihet faj vetë Niçes, që nihilizmi e radikalizmi i tij i hapur, i shprehur andej-këtej në shkrime të ndryshme, frymëzuan jo pak, ca më vonë, nazistët për të bërë ato hata që bënë. Pasi krime janë kryer edhe në emër të Zotit, qoftë a mos qoftë ky, në emër të qenies së tij, por edhe të mosqenies; me një fjalë: mund të abuzohet me gjithçka, qoftë kjo edhe menyja e pafajshme e një restauranti, për të vrarë e për të prerë.
Në një pamje të parë duket sikur dy filozofët e lartpërmendur nuk i përbashkon asgjë: Marksi ishte, si ç’dihet botërisht, materialist, ndërsa Niçeja idealist; ndërsa i pari u përkujdes për masat e shtypura, i dyti e përqendroi vëmendjen tek individi, e me radhë.
E megjithatë, duke qenë se skajet (ekstremitetet) gjithnjë do të takohen gjëkundi, ka më shumë pikëprerje në doktrinat e tyre se ç’mund të ngjajë në një dukje të sipërfaqshme. Niçeja është më materialist se ç’e kujtojmë rëndom dhe Marksi po ashtu më idealist në mëtimet e tij fundore (finale).
Të dy puqen në përçmimin e tyre për krishtërimin, të dy kanë ngjyrime darviniste në mendimin e tyre, të dy mund t’u kishin shërbyer abuzuesve të tyre në kah të kundërt. Nuk do të ishte aspak habi sikur komunistët tanë, bie fjala, të kishin zgjedhur për ungjill të tyre Zarathustrën, ndërsa nazistët manifestin e partisë komuniste. Nuk është edhe e rastit që Hitleri e Stalini konkurojnë me njëri-tjetrin për nga numri i viktimave; që diktatorët, të majtë a të djathtë qofshin, kanë shumë përkitje në ideologjitë që kanë përzgjedhur si alibi për krimin.
Por, meqenëse ky shkrim ka të bëjë me letrat, le të shohim përkitjet në to në përftimin e njeriut si personazh, si hero në një vepër letrare.
Letërsia, e parë si fe, si religjion, ka edhe ajo profetët e saj. Një nga më të pagabueshmit ka qenë Dostojevski, i cili pati paraparë në veprat e tij madhore tipin e heroit që po i qasej si skenës së historisë, ashtu edhe asaj të letërsisë. »Heroi pozitiv« i realizmit-socialist ca më vonë, »njeriu i ri«, por edhe mbinjeriu i Niçes, gjenden të përshkruar me hollësi e gjenialitet te »Krim e ndëshkim«, »Vëllezërit Karamazov«, »Idioti« dhe sidomos te »Demonët«, jo nëpër trajta e kallëpe të stisura enkas për të, si ç’do e bënte këtë disa dekada më tutje letërsia shterpë e realizmit-socialist, e shkruar më së shumti po nga të tilla personazhe të rreme, por si ç’ishin këta edhe në jetë – e ndoshta janë akoma këtupari – dhe janë ende si fiksion a jo këta te Dostojevski më së shumti: si e njëjta gjë.
Nëse e përbashkëta mund të gjendej pa qëmtuar shumë në përçmimin për moralin dhe etikën e traditës, në përpjekjen për të vepruar në një zonë përtej së mirës e së keqes, ku vrasja dhe krimi është vetëm një mjet i vullnetit për pushtet te nazistët apo i klasave që bëjnë historinë te komunistët tanë, të dyja palët i përbashkon ngjashmëria në rrekjen për »të bërë, për të luajtur Zotin«, për të marrë në dorë e ndryshuar gjer edhe vetëdijen e njeriut, ndërgjegjen, shpirtin e këtij, në pastë një të tillë ky, për të marrë të dhëna ca dijeni përndryshe të pamundura për jetën dhe vdekjen, për të luajtur rolin e perëndisë që paskësh ose vdekur, ose s’qenkësh fare, për të qenë ata vetë të tillë mbi dhé.
Tek e fundit, këta anti-heronj gjenden si kontrahentë, si kundërshtarë e kundërti deri edhe në fetë vetë, religjionet e trashëguara; më afërmendsh është këtu koncepti i Antikrishtit dhe këtë e vëren si Dostojevski, ashtu dhe Niçeja, një vepër e të cilit e mban këtë cilësim gjer edhe në titull, për të mos thënë që autori identifikohet vetë me të. Ndoshta mund t’i ndërmendej ndonjë lexuesi po ashtu ekstrem, të skajshëm, emri i Aleister Crowley-t këtu, por nuk ka pse e kjo vetëm që do të na nxirrte nga tema.
Te »Gjenealogjia e moralit« e Niçes gjendet mendimi që masat njerëzore mund të flijoheshin për të bërë të mundur mbarështrimin e një lloji të ri njeriu, më “të fortë” se ky i rëndomti që dimë. ( E kujt nuk i përshoqërohet këtu parlamenti ynë cit me “të fortë” këtu?)
Ndërsa te »Ecce homo« bëhet fjalë për një »Parti të Jetës«, që ka për qëllim e detyrë rritjen (dhe kalitjen, mund të shtohej) e një njeriu (»të ri«, të vjen në mendje) dhe asgjësimin e gjithçkaje »të çartësuar« (ku me çartje nënkuptohet një art i shprishur), asgjësimin e gjithçkaje »parazitare«. Këtë, mbase fjalë për fjalë, e kanë thënë sa e sa herë sekretarët/et tanë/tona të partisë në mbledhjet e organizatave, me siguri edhe të Lidhjes famëkeqe të Shkrimtarëve.
Ja edhe një citat prej një nga veprave më të njohura të realizmit-socialist »Si u kalit çeliku« të Nikolai Ostrovskit: (Pavël Korçaginin e sjellin këmbët, i drobitur siç është nga një tifo, i përmalluar për ngrehina madhështore prej guri dhe makineritë e fabrikës ku punon, për zhurmën që bëjnë rripat e transmisionit, e sjellin këmbët në një shesh ku janë varur dikur shokët e idealit, këtu ai heq kasketën dhe mendon): Njeriu… duhet të mendojë kur të vdesë: “Gjithë jetën time, gjithë fuqitë e mia ia kam kushtuar gjësë më të bukur në botë: luftës për çlirimin e njerëzimit. Dhe ky duhet të nxitojë që të jetojë. Sepse ndonjë sëmundje budallaqe apo ndonjë aksident tragjik mund t’i japin fund ligsht jetës.”
»Njeriu i ri« që mëtonte të krijonte Partia – ide e huazuar kjo tjetërkund, si e gjithë ideologjia marksiste-leniniste xhanëm – pa çka se në jetën reale nuk u bë i gjallë kurrë, përpos si kriminel, harbut dhe spiun, si kopje jo vetëm e dobët, por edhe e pamoralshme e modelit të tij abstrakt cit me virtyte, »njeriu i ri« gjallonte për bukuri vetëm në artin e kohës si ky më sipër, vepronte me forcë atje me drapër e çekan, me kazmë e me pushkë, dashurohej me vajza familjesh me biografi të mirë (dëshmorësh) apo nga ato që e kishin përkrahur luftën, flinte nëpër baza gjatë kësaj, luftës pra, dhe në banesa modeste pas saj, i rrinte mendja gjithë kohës ose te hallet e popullit, ose se si t’ia ngrinte edhe ca rendimentin sidoqoftë tepër të lartë fabrikës ku punonte apo kooperativës ku korrte e shinte, ishte më së pari punëtor, proletar, trim dhe parimor, pastaj edhe fshatar, rrallë intelektual; ishte natyrisht i dhënë, i talentuar për ta lënë jetën për një ideal, për atdhe e parti, por edhe goxha kënddrejtë, disi katror, me nofulla të prera e hundë me kockë – të paktën kështu jepej në tablotë e pafund në ekspozitat për 25 vjetorin e më vonë të çlirimit dhe në romanet e kohës.
Kështu e shohim edhe sot në kronikat e zeza dhe lajmet nga mëmëdheu këtë, pa çka se në një formë tjetër: në atë të halabakut me post, të “të fortit” deputet e ministër, mbase edhe kryeministër.
Vetëm koha, Kronosi, ka tagrin dhe ngeshmërinë që të merret me të tilla kimera dhe ashtu ndodhi: a ka më lexues vallë – po të heqim këtu veteranët e parqeve, Hysni Milloshin dhe nostalgjikët e pandreqshëm, që janë shpesh e njëjta gjë – a ka ndonjë lexues akoma vallë, që ta dijë se kush kanë qenë e ç’kanë shkruar Andrea Varfi, Llazar Siliqi, Shevqet Musaraj, Dhimitër Shuteriqi, Ali Abdihoxha, Kolë Jakova, Loni Papa, Alfred Uçi, Fatmir Gjata e dhjetëra e dhjetëra emra të tjerë, që do të më hanin disa faqe këtu po t’i përmendja të tërë? Sa e tromaksur duhet të jetë një qenie e sotme njerëzore që të lexojë, bie fjala, »Para Agimit« në dy a tre vëllime, »Çlirimtarët«, »Në labirintet e modernizmit«, »Tri ngjyra të kohës«, »Këneta«, etj.?
Mirëpo, nuk ka shumë, një çerek shekulli e ca, e një letërsi e tillë konsiderohej jo vetëm e mirëshkruar, por nga më e mira e shkruar ndonjëherë anëve tona e më gjerë.
Ndërsa gjëja më e mirë e shkruar ndonjëherë nga njeriu ishte romani »Nëna« i M. Gorkit. Do të isha vërtet kureshtar nëse ky roman në kohët tona tërhiqet ende bibliotekave, jo nga studiues e kritikë letërsie, por nga lexues normalë, madje do të vija një bast të madh që jo, që gjashtë muajt e fundit, më së paku, në tërë botën, asnjë njeri i zakonshëm nuk e ka vrarë kohën që i është dhënë për të gjalluar për ta shfletuar këtë gjëmë.
Dhe, kur shënoj fjalën »gjëmë«, nuk e kam fjalën aspak tek ideologjia; jo, e kam fjalën për skematizmin e frikshëm dhe absurd të kësaj vepre, me të cilin mund të konkuronin veç ca blockbuster-a të Holliwood-it.
Dhe vërtet, nuk do të ishte e kotë një vënie pranë e pranë e burrëhekurit (Iron man), nga njëra anë, fjala vjen, dhe »Si u kalit çeliku«, »Nëna«, »Garda e kuqe«etj., apo Xhejms Bondit, agjentit 007, dhe heroit finok të »Mërgata e qyqeve« apo atyre të ca librave të Mark Dodanit, fjala vjen, nga ana tjetër.
Ose e Bruce Willis-it te »S’vdes dot« (»Die hard«) dhe atij marinarit, Rikard Ljarjes, te »Dueli i heshtur«, që vret nja shtatë vetë brenda ditës, por që s’janë asgjë me dyzet e ca terroristët që qëron amerikani në pjesën e parë, shumëfishuar kjo shifër me numrin e pjesëve, për të mos folur për Rambo-n dhe të tjera ikona të skenës dhe ekranit masiv botëror.
»Superman«-i dhe baba Stalini, Maoja, Enveri, etj. (si personazhe artistikë këta të fundit në mijëra libra e tablo e vjershërime) kanë shumë më tepër të përbashkëta se ç’duket në një vështrim të parë sipërfaqësor: kriptoniti i të parit është »e vërteta« e të dytëve, pasi ideologjia e realizmit-socialist pohon as më shumë e as më pak se të qenit në pronësi të një të vërtete fundore, diçkaje ultimative, vezës së Kolombit dhe gurit filozofal në një, fjalës së Zotit pra, kryengulthi, por edhe ateizmi fe është, apo?
Pikërisht ky pozicionim ndaj historisë, njeriut, klasave, shkencës e me radhë, i jep realizmit-socialist një hije të patjetërsueshme prej comic-u, prej mëshimi absolut, prej një universi paralel me këtë tonin, që i ngjan këtij ku jetojmë ne vetëm për nga butaforia, porse heronjtë i ka kryekëput nga zonat mitologjike të një bote tjetër, të sajuar, prej jermi, delirantë.
I njëjti teprim vihet re pa asnjë mundim në artin e paçartur të një socializmi tjetër, të nacional-socializmit, që është, me pak nuanca, e njëjta gjë si realizmi-socialist; hiq kryqin e thyer e vër ndonjë copë yll a ndonjë çekan dhe dilet po aty: në asgjëkund, në fiksion të pastër e të frikshëm, që ishte dhe qenkësh problemi.
Të frikshëm e kriminal, sepse asokohe ky lloj arti e ndikonte jetën e përditshme së prapthi: modelet në jetë e në të folur merreshin nga ky i pari, ndërkohë që arti jepte një version të sublimuar keq të kësaj. Një art i këtillë mund të mbahej në këmbë vetëm duke manipuluar njëkohësisht dhe publikun e tij, duke mbajtur në këmbë me gjilpëra shtetërore e propagandistike një makineri të tërë, një butafori të tërë.
Në këtë kuptim, ai ishte një gjigant me këmbë prej argjile. Me t’iu zbutur këmbët e me të rënë këto, strukturat artificiale të leximit, vlerësimit dhe inkurajimit, me të rënë jeta e ndërtuar kinse sipas modeleve artistike e këto sipas një jete kinse reale; me t’iu thyer këmbët pra gjigantit e me t’u shembur ky përdhe nga pesha e vet, ra vetvetiu edhe nevoja për ta analizuar apo kundruar këtë, parë që kundrimi i tij tani si ç’duhej ishte sidoqoftë thuajse vetiu i pamundur.
Kimera të tilla mund të gjallojnë vetëm në bllok, vetëm në bashkëqenie me sistemin që i prodhon e kur ky bie, nuk është as e nevojshme më të merresh me to, pasi ato kanë marrë në qafë veten me ta bërë këtë.
Natyrisht që realizmi-socialist apo propaganda artistike, si anë të së njëjtës medaljeje krimi, janë ku e ku më tragjike e më të përskajuara, me zgjatimet e tyre në realitet, me vrasjet, me burgjet dhe dënimet këtej, në këtë botë, se, bie fjala, një blockbuster i suksesshëm në kinema, në botën tjetër, me popcorn në njërën dorë e Coca-Cola në tjetrën, që në fund të fundit është vetëm fiksion, vetëm zbavitje, vetëm vrasje kohe. Apo?
Për fatin tonë të keq nuk qenkësh tamam kështu. Vija e hollë e kufirit, mu si ajo që ruhej dikur me ushtarë e qen, është shumë e brishtë, shumë iluzore, e ka fort të ngjarë që, mu si në një dramë të Pirandelos a film të Woody Allen-it, personazhet, njerëzit e rinj, mbinjerëzit, Merimangu, doktor Streinxhi apo piktori i Dorian Grey-t të na dalin nga ekranet e të na vrasin pastaj vërtet në shëtitoren »Dëshmorët e Kombit«, që historia të përsëritet.
Në këtë kuptim, shprehja e njohur e përsëritjes së historisë të dytën herë si farsë nuk është me tamam ashtu: ajo përsëritet, – përsa nuk mund të bëhet dallim mes një krimi e një tjetri nisur nga skenat e tyre, parë që në thelb lëndohen, vriten njerëz sot e gjithnjë – historia përsëritet gjithnjë njëlloj, një arsye kjo më shumë për të shkruar e shkruar pikërisht për këtë, pasi jo vetëm ne që e shkruajmë atë, por edhe ajo ne; njëra dorë lan tjetrën, nga gjaku mbase.
Ajo ç’kuptohet rëndom me fjalën histori është në të vërtet një kronikë e zezë vrasjesh e morti masiv, mirëpo »e kaluara« nuk qenkësh medoemos historia dhe historia nuk ka se si të jetë vetëm çështje ideologjike apo përballjesh. E njëjta gjë vlen edhe për letërsinë; përsa kjo shihet si propagandë, si ideologji, qoftë edhe vetëm si konsum, pasojat do të jenë të dyanshme, sa në psiken e botën e brendshme të publikut, sa në jetën jashtë saj e kjo e fundit do të ndikojë, nga ana tjetër, atë vetë.
Në këtë kuptim, letërsia e realizmit-socialist vetëm letërsi që nuk është, porse për semantikën e kësaj fjale, se ç’qenkësh vërtet kjo, jo vetëm letërsia si e tillë, por letërsia e vërtetë në veçanti, për të mos folur për të vërtetën e vërtetë pastaj, për këtë nuk ngjan se qenkëshim në një mendje e nuk ka se si, gjersa jeta jonë e përditshme nuk ka ka dalë ende nga shinat e realizmit-socialist, përderisa shoqëria jonë ende nuk e ka ripërtypur si ç’duhet atë tagji të errët.
No comments:
Post a Comment