11.2.16

Në vetë të tretë e të parë

"E dashur A." nga Ylli Demneri


Libri i dytë i Ylli Demnerit „E dashur A.“ mund të kishte qenë - jo fare mirë; për këtë bëhet fjalë në këto shënime - një nga zërat e vëllimit të tij të parë „Më kujtohet“.
   Në të bëhet fjalë më së shumti gjithashtu për nostalgjinë. Kjo e fundit është edhe personazhja kryesore e këtij letërkëmbimi në dukje. Ajo është tekembramja A. - duke u shkruar e shkruar për të autori i kthehet së shkuarës së tij, kthehet në vendlindje, pa çka se kjo nuk është lëndore, e prekshme, por prej kohe, prej kohe të shkuar. Ai niset të kërkojë kohën e tij të humbur pra.
   E megjithatë, ai ka bërë shumë mirë që e ka nxjerrë më vete këtë vëllimth, pasi të përbashkëtat me „Më kujtohet“ mbarojnë këtu. Ajo çka ishte virtyt i shkruesit në librin e parë nuk është më i tillë në të dytin; le ta themi menjëherë: vepra e tij e parë është ku e ku më e mirë.
   Nëse te „Më kujtohet“ Demneri ka patur nuhatjen e hollë të një akuarelisti - që e di se mëshimi më shumë se ç’duhet i një njolle aq të brishtë e aq të menjëhershme, aq prej kohe sa ç’është përftimi i kujtesës prej vetë subjektit, veç do ta rëndonte atë të tjetrit, të lexuesit në këtë rast, - dhe është tërhequr sa ka mundur, e ka lënë kujtesën të jetë kësisoj e mëvetshme dhe e besueshme, sepse e atypëratyshme, sepse vetëmohuese, në librin e dytë kësaj nuk ia ka qëlluar dot, porse jo për faj të vet.
   Them: jo për faj të tij, pasi sipërmarrja si e tillë është e pamundur, kur nisesh e shkruan për veten tënde. Nostalgjia në librin e parë ndodh jashtë subjektit - ose, më mirë, ndodh jashtë subjektit e prandaj u ndodh të tërëve që e kanë jetuar atë kohë, apo janë të interesuar për ta ditur se si ishte. Në të dytin i ndodh vetë subjektit, ndodh brenda atij vetë e duhej të kishte pikëprerje me lexuesit vetëm përsa edhe atij, lexuesit pra, i ka ndodhur e njëjta gjë. Mirëpo, pavarësisht se shumëkush provon ndjesi të tilla dashurore,  ka pak të ngjarë që kjo - gjurmimi i ndjesive te të tjerët, shkruesit në këtë rast - të jetë motiv edhe për ta lexuar atë. Pasi për marrëdhëniet me një femër bën fjalë, as më shumë e as më pak, thuajse treçereku i ndërmarrjes artistike botërore të të gjitha kohërave.
   Edhe motivi për ta lexuar këtë libër duke u nisur nga interesi për të ditur, - në mos nga vuajerizmi; tingëllon e rëndë, por ja që Demneri u pyet shpesh në intervista se cila qenkësh A. - duke u nisur nga kureshtja për të ditur se si bëhej dashuri në diktaturë nuk do të ishte arsye më vete për ta lexuar atë.
   Ndërsa te „Më kujtohet“ autori gjendet vetëm në vetën e tretë, në mos të dytën, te „E dashur A.“ ai është plotësisht vetja e tij e parë pa dyshim. Pikërisht kjo mungesë dyshimi - pasi ne duam ta njohim e mos ta njohim autorin e një vepre në të njëjtën kohë - përbën dobësinë e saj.
   Ne duam natyrisht ta dimë se kush qenkësh autori i librit që kemi në duar, por mundësisht ose në mënyrë cinike, kur ai na tregon plagët e ne u vëmë gishtin, ose në mënyrë rrëfyese si Augustini e Mark Aureli, ose në mënyrë tronditëse si ditarët e Tolstoit, apo edhe kur na tregojnë të tjerët për të, duke e lëvduar apo sharë, si ç’jepet kjo në pafund biografi njerëzish të shquar e kjo sepse ne jemi të ligj.
   Po, lexuesi nuk të fal asgjë, ai të lexon për ta vrarë autorin e vetëm kur merret peng prej tij pranon t’i jepet atij vërtet.
   Ndërkohë është autori ai që do të na "vrasë", ai që rreket të na godasë.
   Edhe Demneri vret e pret goxha, më së pari me sinqeritetin e dëlirësinë e tij, shpesh deri në kufijtë e naivitetit (atij të mirit, duhet theksuar këtu, e jo atij të trashit që është i tillë sepse nuk kupton).
   Shpesh e zura veten përgjatë leximit sikut të isha i njollosur, më i errët se këta engjëj që shkëmbejnë puthje e poezi e ofshama. Po, bota ime ndjesore, ajo e lexuesit, nuk është me patjetër ajo e tyrja: unë, ai, lexuesi kemi patur mendime të liga edhe për vajzat që kemi dashur e na kanë dashur e rrjedhimisht edhe ato për e mbi ne, por edhe kemi masturbuar si çdokush, - dikush vrau një mace në lagjen tonë, fqinji ynë ishte xhelat në burgun aty pranë e kështu me radhë - nuk jemi aspak të dëlirë pra; cili qenkësh të na hedhë gurin e parë.
   Kjo është dobësia e ky është njëkohësisht edhe virtyti i këtij libërthi simpatik që mund të lexohej për bukuri në ditë të atilla. Dhe po, ka ditë kur na pëlqen „My heart will go on“ dhe melodramat, sikurse ka të tilla kur duam të shpërvjelim mëngët e të rrihemi me hamej të dehur në ndonjë mejhane porti.
   Nëse do të më lejohej t’i sugjeroja diçka Yllit ( të cilin e njoh aq sa ç’duhet si për ta lëvduar, ashtu edhe për ta qortuar) do të ishte, - nëse ai po shkruan ndërkohë „Më kujtohet-2“, - do e këshilloja pra të mos e nxirrte këtë si vëllim më vete, porse si shtojcë në ribotimet e vëllimit të parë, që do të trashej kështu vazhdimisht në kohë pa qenë asnjëherë i njëjti. Gjithashtu, do të shtoja që, - ndonëse këtë ia pata vënë në dukje personalisht edhe para se ta nxirrte „E dashur A.“, - që të kursehej me vendosjen në libra me fotografi e piktura sot të gjendshme lehtë e gjithkund nga gjithkush; çka para një çerek shekulli do të ishte vlerë e paçmueshme për një lexues shqiptar, sot gjendet falas ose me pak para, mu si vajzat tona të mira e të ndershme me namuz dikur, që gjenden sot me shumicë shtëpive publike të botës për pak aspra.

„Më kujtohet“ do ia sugjeroja fort çdo lexuesi; edhe më fort akoma atyre që duan të dinë më shumë jo për diktaturën, por për kohën kur ndodhte ajo. Ndërsa për „E dashur A.“ do i thoja një mikeje bie fjala, A.-së sime, „Në mungesë të letërsisë më të mirë shqipe, është i këndshëm, varësisht nga moti shpirtëror“.
   
P.S.: Gjithashtu, ndonëse nuk ka shumë lidhje me ç’më sipër, por edhe me temën e librave deri diku: u duhej sugjeruar autorëve të tillë të mos bien pre në asnjë formë e tundimit të „promovimeve“ siç tek emisioni „Zonë e lirë“ fjala vjen, të cilin e pashë atë seri sepse ishte Demneri aty. Është vulgariteti që përligjet kështu prej tij dhe E. Tupes, fjala vjen, që po promovonte edhe ai një libërth me poezi për të birin autik po aty, duke shkelur me këmbë kështu pikërisht atë për të cilën janë aty, dëlirësinë e ndjesive që i kanë ngucur të shkruajnë. Por, sidoqoftë, gjithkush duhet ta dijë vetë se ç’bën me veten e tij e kjo është veç një mbresë e një teleshikuesi të keq, të cilën të lartpërmendurit nuk kanë pse e marrin fort për zemër.
   
    
*P.S. : shkruesi i këtyre rreshtave nuk është as studiues e as kritik i letërsisë, por vetëm e thjesht lexues, ndaj këto shënime mëtojnë të jenë veç mbresa leximi e aspak shteruese.





No comments:

Post a Comment