30.7.15

Unë dhe "Child in time"

Nuk dua të qara në funeralin tim: dua të më vënë muzikë. Do të jem ndoshta aty vërdallë, tre a katër ditë, e dua të dëgjoj, ndërsa më shfaqen mbrapsht ç’pashë e më panë në botë, dua pra të dëgjoj ndërkaq muzikën që më ka përcjellë në çaste vetmitare, leitmotiv-in e të qenit atypari.

...

Sa herë e dëgjoj, a më kujtohet organoja hyrëse e kësaj kënge, nuk ka se si të mos më vijë në mendje hera e parë në jetë kur e dëgjova vetëm, theksoj vetëm, pasi asokohe nuk para të binte rasti për këtë, kur dëgjova pra vetëm, në magnetofonin e virgjër të dajës, që sapo ish kthyer nga Gjermania, një kasetë të dikujt, regjistruar me zell në radio, e kaseta hapej me "Child in time" e vazhdonte pastaj me Hendrix në Woodstock.
Vetëm ndonjë fugë e Bahut a Egmonti i Beethovenit kanë atë tragjikë madhështore, atë kapërcim t(h)onesh solemnë nga poshtë deri lart, atë virtuozitet të variacionit në mes. Ndërsa për nga struktura kjo pjesë nuk ngjan me asgjë. Vokal, variacion, vokal, pushkatim në fund a daulle  lufte, e gjithë kjo nisur e përzier me një tingull kishtar organoje, që ngjan se vjen nga një Bah postum, dhe një bas që i vrapon tërë kohën pas kitarës soliste a rend nën të si kalë. I tillë është dhe variacioni në mes: një revan, trok i shpejtë, që në mendjen time shndërrohet në një galop të kalorësit me të birin, diç si një vjershë e Gëtes (Der Erlkönig), ku shkojnë një kërthi me të atin.
Gjithçka këtu është në vendin e vet dhe minimalisht e reduktuar në dendësinë më të mundshme, veçori kjo vetëm e perlave dhe e vrimave të zeza.
Sa herë e kam dëgjuar? Aty tek 3000 herët ndoshta. Herë 12 minuta baraz me 600 orë muzikë, baraz me 30 ditë të jetës sime duke dëgjuar DP. Ndoshta edhe një herë kaq deri sa të vdes. Në do të doja këngë në funeralin tim, në vendin e fjalëve që thuhen mbi varr, ka shumë të ngjarë të qe kjo. As Amen, as hi ndër hi e dhe ndër dhe: veç tingull ndër tingull...



No comments:

Post a Comment