Normalisht nuk ka pse të flitet fare për anën fizike të një botimi; edhe nëse bëhet kjo, i takon fundshkrimit të ndonjë doracaku për bibliografë - po qe se do të kishte të tillë - të merret me të tilla probleme, të cilat janë gjithkund tjetër lehtësisht të zgjidhshme e në shumicën e rasteve të paqena, por në Shqipstanin tonë të dashur, për arsye nga më absurdet ndoshta, aq kokëforta dhe aq të përsëritura, saqë kthehen në normë.
Libri në fjalë, (kam botimin e katërt në dorë), është i mbushur me gabime shtypi elementare, ndarje rrokjesh në fund të rreshtit mu në mes të bashkëtingëlloreve, përdorim fjalësh të huaja pa vend etj., mirëpo, duke e ditur se pozicioni i munguar i korrektorit është diçka tjetër, nuk mund ta bësh me faj as atë. Nëse njërit prej librave më të përfolur e më të shitur të viteve të fundit, nëse një autori, që shfaqet të paktën katër herë në javë për dy-tre orë në ekran e i cili duhej t'i kishte mundësitë e mjaftueshme të shmangies së tyre, u ndodh kjo, atëherë këtu kemi diç më shumë se një lapsus të thjeshtë shtypi; kemi një simptomë.
Kjo simptomë, formale në dukje, përshkon ende si fill i kuq mespërmes realitetin shqiptar, realitet ky, fatkeqësisht e ndoshta tragjikisht, ende plagëhapur nga kasaphana e kohës që shkoi. Fevziu ka zgjedhur të merret me kryethertorin dhe ka bërë mirë: nëse e ka bërë mirë, kjo është tjetër gjë. Sidoqoftë, duke qenë një nga të parët e të vetmit që kanë guxuar derimë tani t'i qasen figurës aq të errët e komplekse të Hoxhës, ai meriton të lëvdohet për këtë; meriton të lëvdohet, pasi kjo është një nismë po aq komplekse dhe e vështirë sa edhe personazhi i shumëpërfolur i diktatorit. Meriton të lëvdohet përçapja për t'iu qasur të kaluarës pa gjaknxehtësi, pa hak e inat, përtej së majtës e së djathtës, përçapje kjo e dështuar ende pa u ndërmarrë në politikën aq të dyshimtë shqiptare, politikë të cilën e përshkon po ai fill i kuq a blu, që përmendëm më sipër.
Qasja e Fevziut është dokumentare, pothuajse e faktuar (pothuajse pasi një shprehjet më të shumëgjendura në libër është nuk dihet ), e paramenduar për të shuar urinë e atypëratyshme të lexuesit mesatar të gazetave, për të mbledhur në një vend çka ka dalë ndërkohë në sipërfaqe, për ta spërkatur të tërën edhe me pjesë ekskluzive ditaresh të Hoxhës, apo me copëra kujtimesh të atyre që e kanë njohur nga afër, apo e kanë vuajtur atë pikërisht për këtë.
E gjitha kjo sillet me një gjuhë, le të themi, pa shumë dredha dhe të rrjedhshme, ndonëse tek-tuk, sidomos në hyrjet e kapitujve, ndiehet turbullt ndikimi i Kadaresë në përshkrim, a më mirë, i një sozie të tij të veshur tebdil.
Nuk është se pendohesh që e lexove kur e ke mbaruar librin, ashtu siç nuk ke pse të pendohesh kur, ta zemë, ushqehesh me fast food. Ndoshta autori ka punuar vite me radhë për të mbledhur materialin, ka rrëmuar nëpër arkiva, ka folur me dëshmitarë; me një fjalë, ndoshta ai është lodhur shumë për këtë libër. Por kjo nuk ndiehet nëpër faqe: më rrënqethës se shkruesi janë dokumentat që ai sjell, e Fevziu nuk përpiqet shumë, nuk ka ditur, a nuk ka mundur dot, të depërtojë në motivet dhe psikën djallëzore të Hoxhës; ai, përveç disa rasteve ku përpiqet jo bindshëm të arsyetojë për shkaqet irracionale që sollën komandantin në pushtet, që mundësuan që ky nxënës mediokër e mësues rasti me orë të bëhet ajo figurë historike që njohim. Për ta bërë këtë do të duheshin mbase pena më të mprehta, më shumë përkushtim e ndoshta edhe një këndvështrim tjetër historik.
Në mungesë të librave të tjerë më të mirë, do ia rekomandonim sidoqoftë Hoxhën e Fevziut edhe të tjerëve, sidomos atyre që flirtojnë ende me nostalgjinë e krimit dhe të më të rinjve, që nuk e kanë jetuar atë kohë vetë.
Me gjysmë zemre sidoqoftë e duke shpresuar se në botimin e pestë do të ndodhë ndonjë mrekulli e gabimet e shtypit nuk do të barten pa u rishikuar, gjë të cilën, fatkeqësisht apo tragjikisht, nuk po mundemi ta shpresojmë dot ende për të kaluarën tonë.
*P.S. Këto shënime janë të përcipta e nuk mëtojnë të qëmtojnë mjaftueshëm vlerat e qena a të paqena të librit në fjalë. Gjithashtu janë të lutur lexuesit të paramendojnë, para se të asociojnë me njëri-tjetrin prezantuesin e "Opinion", autorin B. Flevziu dhe biografinë për Hoxhën: ata nuk janë e njëjta gjë.
No comments:
Post a Comment