Padyshim që Bashkim Shehu është një nga shembujt më fisnikë e njerëzorë se si mund të qepej shërueshëm plaga ende e hapur e së kaluarës sonë. Një nga të paktët njerëz, të cilët u imponojnë respekt të tëra palëve të kacafytësve, me të cilët, fatkeqësisht, për të tjerët e ata vetë, është aq i mbingopur lakmusi i gjakut shqiptar; një nga të paktët shembuj që na ushqejnë shpresën, po aq të mpakur, se më mirë do të bëhet, ndonëse gjasat na flasin një gjuhë tjetër. Ndaj është vështirë të harrosh autorin kur merr në dorë veprën e tij, pasi heshtja e tij është diç më e praruar se kur ai nis e flet.
Për brezin tim, që shembja e murit e gjeti në një moshë aty nga mesi i mesjetës, kjo bëhet edhe më e vështirë. Ky dyzim më shoqëroi edhe gjatë leximit e nuk po mundesha të përqëndrohesha në rreshtat, a thua se në hapësirat mes fjalëve ish shkruar me bojë të padukshme një tekst edhe më i thellë e më tragjik prej kujtese të heshtur, a thua se realiteti i saj, si rrallëkund, e tejkalon për nga trandja a priori artin që frymëzohet prej tij, e këtij të fundit i duhet të mbijë e të ushqehet veç me të zezë e gri të errët. Frymëzohet është në këtë rast fjala e paduhur: frymënxjerrje, çlirim nga dreqërit, ekzorcizëm a më mirë pjellë, do i shkonin më për shtat asaj që po dua të them, por që është prej heshtjeje. Kush ka lexuar Dostojevskin a më saktësisht "Demonët" e nuk e ka harruar ende drithmën që të përçojnë honet profetike të ferrit të tij, ka përjetuar kokëposhtin e çfarë më sipër. Porse vepra e Shehut, nëse me vepër nënkuptojmë vetëm të zezën mbi të bardhë, ndonëse e bardha është këtu më e frikshme, nuk më kujtoi rusin e madh, por Kafkën.
Adhuruesve të tij në Shqipëri a kudoqoftë u duhet rekomanduar doemos ky libër: qëmtuesve të rrathëve të skëterrës do u mungojë atje Virgjili, pasi Shehu, ashtu si edhe sivëllai i tij nga Praga, është i ushtruar në të qenit pavetor: edhe ai ka si çdokush një baba, jo vetëm hijerëndë e shtypës, por...
ja, përsëri harroj gërmat e humb në kujtesë, sërish po i bëj "biografinë" autorit e po merrem me të. Po, Shehu nuk e ka biografinë e mirë: i ati i ka lyer duart me gjak të pafajshëm gjatë luftës e më vonë, ka bashkëpunuar me agjenturat e huaja dhe okupatorët, - nëse i besojmë shokut të tij më të ngushtë- e së fundi, a thua se kjo nuk mjafton- u shton listës së tij të gjatë të mëkateve të tij vrastare edhe atë të Judës apo Kirillovit - gjithmonë sipas kujtimeve të një ish Mesiu që mban edhe ofiqin e Pilatit me mbiemrin Hoxha nga Gjirokastra, bashkëudhëtarit të tij e shumë të tjerëve, mjaft hetues mes tyre e heronj të heshtur, që dëshmojnë, apo siç shkruhet sotit gazetave -rrëfejnë-, alibi të dyshimta; një tjetër gjirokastrit i mirënjohur, kandidat për çmimin Nobel, mik i birit në fjalë, shkruan një roman mbi hm... vetëvrasjen? e të ndjerit...
por ky është realiteti e jo libri që kam në duar, që si për të shumështresuar edhe më lexuesin ushqehet pikërisht nga kjo problematikë. Autori tashmë e zotëron më së miri teknikën, që nuk ka të qortuar, ka një stil të tijin, që shpesh kulmon në skena mbresëlënëse, e nuk të lë të zhgënjyer pasi e ke mbaruar, ndoshta edhe disi me vullnet, librin. Duhet të shtoj këtu se ky i fundit është i vetmi që kam lexuar prej tij, hiq këtu disa intervista të tij në shtyp apo TV.
Përmenda Kafkën më sipër, pasi, përveçse marrëdhëniet e vështira at e bir, që në rastin e Shehut janë ku e ku më tragjike, më shoqëroi gjatë leximit e njëjta ndjesi. Ndjehesh disi më mirë kur e ke mbaruar atë, se sa gjatë kohës që e lexon. Por Shehu ka një stil të tijin, disi të lodhshëm herë-herë, ndonëse patëmetë.
Nuk pendohesh që e ke lexuar këtë roman dhe, më e rëndësishmja, ai të ngjall dëshirën për të lexuar më shumë nga ky autor edhe më, çka do të thotë se koha e investuar në të nuk është kohë e humbur. Ndonëse nuk jam njohës i mirë i peizazhit letrar shqiptar të pas 90‘, përjashtuar këtu, natyrisht, Kadarenë, do të merrja guximin të pohoja se ky roman mund të qe një nga më të mirët e këtyre 20 vjetëve, por këtu shpresoj të gabohem, siç kushdo që i ka për zemër letrat shqipe.
No comments:
Post a Comment