Në ballinën e BalkanWeb-it sot, mu në krye, u shokova - ndoshta për fajin tim, pasi vetë e kam fajin nëse klikoj aty - nga makabriteti ulëritës dhe mungesa absolute e pietetit të administratorëve të faqes, të cilët, me pandjeshmërinë më subtile të mundshme, i kanë dhënë ballin e vendit videos së një gjynahqari (gjerman) që hidhet nga një vinç.
Në të djathtë nekrofilisë i bën shoqëri pothuajse-pedofilia e maskuar si ekzibicionizëm: nuk i rezistojnë epshit të momentit, çifti kapet mat duke bërë seks pranë një shkolle („Infant“).
Ata që nuk i rezistojnë dot epshit ( të publikimit të gjithfarë medetllëqeve) janë në fakt të zotët e kësaj pune, që hedhin në një nga faqet më të vizituara shqiptara plehra, kufoma e seksbomba e kronika të zezë stivë njëri mbi tjetri(ë)n.:
Te gazeta „MaPo“, sa për të marrë një shembull, se vrimave të medias shqiptare nuk u gjendet fundi, është ndierë kohët e fundit një regëtimë kritiko-letrare me shkrime të Agim Baçit, Virgjil Muçit, Rudolf Markut, Arian Lekës etj., e cila veç mund të përshëndetej, por vetëm në lidhore, pasi në të djathtë e ku e ku më të pranishme janë njoftime si: Vdekje horror, i futi shishen e shampos në të pasme.
Ndonëse personalisht më pëlqen humori i zi, nuk është se më vjen të vë buzën në gaz; gjendemi tashmë në zona sterrë, ku çfarëdolloj nënqeshjeje është e tepërt.
Flitet për tallava muzikore, por ka edhe një të tillë të lajmit e kjo e fundit është ku e ku më e hidhur, pasi nuk i shpëton dot. Nëse muzikën e ke në dorë edhe ta anashkalosh, nuk do të mundeshe të fshihesh prej realitetit mediatik, pasi ai është i gjithëpranishëm.
Atëherë lind pyetja: si i bëhet?
Ka vetëm një zgjidhje e gjitha kjo: të shprehësh me forcë indinjatën tënde, të ngresh zërin kundër relativizimit të jetës së tjetrit, edhe më shumë për vdekjen e tij, pasi i ndjeri nuk mbrohet dot më; të shprehësh qartë e ku të mundesh neverinë tënde për reduktimin e identitetit vetëm në mish e gjoks e vithe të kolme femrash përndryshe pa asnjë kontribut, të denoncosh sipërfaqësinë e dyfaqësinë e medias vulgare të Mëmëdheut, e cila për dy-tre klikime më shumë është gati të shesë nënë e babë e fëmijë. Dhe a propos fëmijët: a e vret mendjen kush për edukimin normal qytetar të tyre, a e mendon kush se ky uragan fëlliqësie përçudnon drejtpërsëdrejti, live, të ardhmen njerëzore të Shqipërisë? E bën ndokush lidhjen mes kronikës së zezë në lajmet sot e kronikës së zezë të pas ca kohëve? A nuk ngjan kjo e fundit, mënyra se si shpallet, reklamohet, prostituohet, me një profeci të errët që do të përmbushet vetiu ca vite më vonë, kur plot fëmijë e adoleshentë të sodit, lexues e teleshikues të mediave sot, do të jenë nesër protagonistët e saj, të ballinave të saj të tmerrshme e lapërdhare?
Zotërinjve pronarë të gazetave e televizioneve, shumë prej tyre pasuruar skiç e dyshimshëm, me sa duket aq u bën për shëndetin mendor kolektiv, gazetarëve po ashtu; gjithsekush ka alibinë e tij në katastrofën mediatike e vetëm kur bie rasti, e rasti bie gjithë e më shpesh, gjejnë rastin të indinjohen edhe ata për monstrat që vrasin e përdhunojnë sheshit, a thua se këta të fundit u ngjajnë rrufeve në qiell të kthjellët dhe edukimi qytetar qenkësh joshkakësor.
Si i bëhet? Është fort e vështirë dhe mjaft e lehtë nga ana tjetër që të vendoset rregull në të tilla konstelacione të ngjashme; fort e lehtë kur bëhet fjala, ta zemë, për të mbyllur Lazaratin se dërgon forcat speciale, por goxha e vështirë kur bëhet fjalë për zonat e errëta të vetëdijes kolektive, esencë e koncentruar të së cilave mediat janë.
No comments:
Post a Comment