Mbresa nga „Loja, shembja e qiellit“ e Bashkim Shehut
Prej „Mozart me vonesë“, lexim ky i para disa viteve e që më kish lënë një shije shumë të mirë- ndonëse ca të athët, por për stilin do të flas ca më poshtë - duhej të kisha nxënë tashmë se B. Shehu është, së pari, shkrimtar serioz, e është mirë t’i qasesh si lexues si një të tilli, një autori serioz pra, duke harruar sa më shumë të jetë e mundur atësinë e tij e, ca më shumë akoma, fatin e tij njerëzor shpesh më shumë se të rëndë.
E kjo jo për të harruar të kaluarën, porse është mirë të kesh gjithnjë parasysh se rrëfyesi në letërsi nuk ka pse të jetë doemos autori, që autori nuk ka pse të jetë medoemos Bashkim Shehu e kështu me radhë. Gabim që i ndodhi edhe shkruesit të këtyre radhëve në faqet e para, qoftë prej përtacisë së tij, qoftë prej mungesës së besimit në letërsinë e mirë shqipe, qoftë edhe nga disa reçensa të lexuara në media për këtë roman, të cilat, pas leximit të këtij të fundit, më ngjajnë të cekëta e jo të ndershme; jo të ndershme sepse të cekëta. Pasi libri i Shehut është vërtet një anatomi e diktaturës dhe e së kaluarës së afërt, por jo vetëm kaq; madje do të thoja se totalitarizmi si i tillë luan rol dytësor në shtjellën e tij, diç’ si roli që luan një hije, kur ndriçohemi nga pas e të cilën e kujtojmë për shëmbëllimin tonë, kur e shohim kundruall, në mur.
Po, Platoni. „Guva“ titullohet edhe një copë që ka shkruar kinse protagonisti kryesor Aleks Krasta, kinse rrëfyesi, kinse autori, kinse Bashkim Shehu, ndërkohë që protagonisti i vërtetë nuk është as ai vetë, as ngjarja që rrëfehet, por shëmbëllime, pandehma filozofike për njeriun, për drejtësinë, për besimin, për dashurinë, për jetën, për robërinë; me një fjalë përbërësit e shtysat e zakonshme të një romani të mirë, që ky i Shehut padyshim është. Përpos që muri i Platonit, ku shohim hijet tona është jo një, por disa pasqyra që i dërgojnë pamjet njëra-tjetrës e herë përputhen në atë çka na rrëfejnë për veten tonë, herë na e zmadhojnë imazhin e të tjera herë e zvogëlojnë atë deri në pafundësi. Sikur të mos mjaftonte kjo, figurat kryesore kanë edhe ato klonet e tyre, shëmbëllimet: Aleks Krasta rrëfyesin dhe anasjelltas, Fiora Evën/Linën, Patër Shtjefni disa priftërinj të tjerë, Luigj C., hetuesi, të tjerë hetues e njerëz po aq të ligj, për të ardhur në finalen e romanit, kur vetë i përndjekuri merr si në një dramë emrin e një tjetri, emrin e përndjekësit, veshur si një tjetër i përndjekur, por katharsis nuk ka, nuk ka se si të ketë, pasi publiku i vetëm i kësaj drame janë aktorët vetë.
Dhe lexuesi, unë pra ( nuk bën sens të nisesh e të flasësh në emër të një lexuesi amorf, diku atje jashtë, si alibi për përjetimet e tua personale, ndaj këto shënime janë veçse subjektive, janë krenarisht të tilla…), duke mëtuar për të tjerët, mëtoj së pari për vetveten, pasi, në fund të fundit, ndonëse kjo është aksiomë pothuajse fetare, tjetri jam unë, ose, edhe më mirë akoma, unë jam një tjetër.
Nuk është qasje e panjohur kjo; më bëhet ta kem hasur tek Philip Roth, p.sh., (The Counterlife, në mos gabohem), apo në filmin e njohur „Mulholland Drive“, ku personazhet ndërrojnë vendet, apo edhe në pjesën e njohur të Borhesit „Teologët“; merita e Shehut është se e sjell gjithë këtë në mënyrë tepër vetjake e në një kontekst shqiptar, i cili, për vetë veçoritë e gjuhës dhe diktaturës po aq specifike, të largon menjëherë tundimin për hequr paralele me vepra a autorë të tjerë. Dhe vërtet, gjatë leximit të krijohet bindja se edhe nëse të sjellin një libër pa kapakë e pa të dhëna të Shehut, qoftë edhe ndonjë fashikull të shkëputur nga mesi, do të jesh në gjendje ta dallosh se kush e ka shkruar.
E këtu vijmë tek shkaku i kësaj pandehme: stili i Shehut.
Ai i ngjan - gjithmonë mendimi subjektiv i shkruesit ky - një thurime, një gardhi, me të cilin autori ka rrethuar ngjarjen e tij. Më ndërmend gjithashtu mveshjen e famshme asokohe që Christo, artisti bullgar, i bëri Reichstag-ut para disa vitesh, deri edhe dallimin iluzor midis veshjes e zhveshjes.
Është pothuajse e kotë të vrasësh mendjen nëse ndërtesa që veshi Christo është më e bukur me, apo pa veshjen e tij; kjo vlen edhe për një grua të bukur: veshja nuk është fort me rëndësi, por edhe pa të nuk i bëhet. I vetmi problem më ngjan të nisë e të ndodhë kur, në vend që të merremi me thelbin e lajthisë, na duhet të merremi me lëvozhgën që nuk e thyejmë dot për të mbërritur aty, ndaj nis e më ngjan e dyshimtë kur një autori i thuhet se ka krijuar tashmë „stilin“ e tij, që Shehu tashmë pa dyshim e ka krijuar, por shpesh m’u bë gjatë leximit se autori në vend që të dyshonte vetveten e të shihte të përtëritej ku të mundej, ndiehej mirë në „stilin“ e tij, sidomos në ca fjalë të caktuara si „asgjëmangut“ për shembull, fjalë me të cilën nisin plot 26 fjali; kjo më bëri të nis të dyshoj më së fundmi edhe „stilin“ e disa teprime të tjera të vogla, për të ardhur në një bindje të hershme timen, që stili më i mirë është mungesa totale e stilit, por pasi e ke patur një herë atë, stilin pra.
Megjithatë, në pjesën më të madhe të librit, ky i fundit është në funksion të së tërës e ca hemorragji të brendshme aty-këtu mund të kuroheshin lehtësisht gjatë një rishikimi të shkurtër që mund t’i bëhej romanit para një ribotimi, ta zemë.
Dje a pardje qeshë tek okulisti; ulur në karrigen e tij, ndërkohë që ai fuste lentet me numër të ndryshëm e shkronjat që më duhej të shihja më bëheshin herë më të turbullta e herë më të kthjellëta, po shestoja me vete këtë punën e stilit, ngaqë s’kisha ç’bëja ndoshta e më duhej shpesh të prisja derisa të gjendej lentja tjetër. „Po tani?“- më pyeste pastaj okulisti e erdhi një pikë që nuk po dija as vetë në po shihja qartë, a po shihja turbull. Këtë më ndërmendi edhe stili i Shehut.
Ka pjesë në libër, si ëndrrat e Aleks Krastës, qasjet e tij metafizike për në „guvë“, pjesa e kuvendit françeskan dhe e marrjes në pyetje të Fra Shtjefnit dhe sidomos disa faqe me Lalën e marrë në internim që kanë tjetër stil; kjo e fundit, që për mua qe edhe skena më e fuqishme në libër, nuk kishte „stil“ fare, në kuptimin që unë si lexues e harroj atë, stilin pra, „nuk e shoh“, siç i harroj qelqet e një syzeje të mirë kur shoh kthjellët me të.
Nga ana tjetër, këto ditë, nisur nga lajmi i shitjes së një pikture të tij, kam shestuar gjithashtu edhe për një periudhë „të vagullt, „të fshirë“ të një piktori shumë të njohur gjerman, Gerhard Richter, ku subjekti bëhet i tillë, i vagullt pra, qëllimisht, duke ia përzier me njëri-tjetrën konturet një pikture akoma të patharë. Mos vallë Shehu ka bërë të njëjtën gjë qëllimisht me „stilin“ e tij, për të përforcuar edhe më efektin e hijeve, të shëmbëlltyrave që përshkruam në krye të këtij shkrimi? Ka shumë të ngjarë, nisur nga mbresa fundore me të cilën e lëshon këtë libër nga duart e që është se autori i ka paraprirë gjithnjë dy hapa më parë lexuesit në përjetimet e tij e se edhe kjo është pjesë e lojës, por jo të shëmbjes së qiellit për lexuesin, që duhej ta priste diçka të tillë.
Nuk u ndala qëllimisht në çështje të përfolura keq gjithkund e deri ditën e sodit e që janë edhe ato një temë kryesore në roman: e drejta e nëpërkëmbur e viktimave, diktatura, kujtesa, harrimi, besimi etj. Secila prej tyre do të kërkonte një shkrim më vete, pasi libri i Shehut është një tren që shkon në më shumë se katër a pesë shina njëherësh.
Mirëpo shumë është keqtrajtuar letërsia që bën Shehu në veç një dimension të saj, më shumë se ç'duhet është reduktuar ajo në veç një përmasë, në atë të "dossier"-ëve të së përditshmeve populistë, në përpunimin e së kaluarës; është përftuar më shumë se ç'duhet si "burgologji", përmasë të cilën vepra e tij vërtet e ka, por që jo vetëm atë; është pothuajse e pandershme, e pandershme sepse e cekët, ta trajtosh Shehun veç si ish-të përndjekur e veprën e tij si kujtime burgu.
Desha vetëm që në mbresat e mia ta përfillja Shehun ashtu siç vërtet mendoj se duhet t’i ndodhë: si një shkrimtar shqiptar nga më të rëndësishmit e kohës tonë e mëtues me të drejtë i qytetarisë së botës së letrave europiane. Libri i Shehut nuk është aspak më i dobët se disa libra të Fatos të Kongolit si „Lëkura e qenit“, apo „Kufoma“; është madje ku e ku më elegant se ato - mendim subjektiv edhe ky - e si i tillë duhej marrë ku e ku më seriozisht se çka ndodhur derimë tani me veprën e tij.
Që jua rekomandojmë!
P.S.: Shkruesi i këtyre rreshtave nuk është as studiues e as kritik i letërsisë, por vetëm thjesht lexues, ndaj këto shënime mëtojnë të jenë veç mbresa leximi e aspak shteruese.
No comments:
Post a Comment