... Mendim shumë i bukur i Le Clézio-s: "Ndoshta një ditë do të mësojmë se art s'paskësh patur, por veç Mjekësi".
... "Ç'është më mirë? Të zbavitesh me Kërpudhat apo të budallallepsesh me Ideologjinë?" pyeste veten Aldous Huxley, - për vete kishte zgjedhur kërpudhat, - në Newsweek", më 9 maj 1966. Zgjedhja e arsyeshme është që u duhet ikur kërpudhave si ideologji dhe ideologjive si të paskëshin qenë kërpudha. Asnjë drogë s'na leverdis.
... Thotë Hipokrati se është vdekjeprurëse sëmundja ku gjumi është i dhimbshëm, jovdekjeprurëse ajo në të cilën gjumi lehtëson. Me laudanë, morfina e barbiturikë e kemi humbur sysh këtë dallim.
... Mbi trenin në lëvizje e sipër i shpëtoja një burri mizor e të dyshimtë, një vampiri ndoshta, dhe valixhet tona qenë të hapura, të braktisura.
... Elisabetta Wittelsbach, perandoreshë e Austrisë, vuante nga fobia e vështrimit (gjithnjë erashka e çadërza e vrikje për t'iu fshehur syve). Vrasësi i saj i nguli në zemër një fëndyell pa e parë. Mjekët, nëse do të kishte vdekur mes dantellave e baldakinëve, duke e vështruar në fytyrë do ta kishin bërë të vuante ku e ku më tepër.
Përktheu: pakufir
(Marrë nga Guido Ceronetti, Il silenzio del corpo, Adelphi 2001)
(Marrë nga Guido Ceronetti, Il silenzio del corpo, Adelphi 2001)
No comments:
Post a Comment