26 Tetor 2015 18:05
Skuadra e autopsisë u thirr në vendin e ngjarjes pasi Xhemal Kopliku u diagnostikua si i vdekur pa shpresë. Siç njoftojnë organet policore të zonës së Lumbardhës në njoftimin për shtyp, i ndjeri kish festuar me raki dhe meze me dy-tre shokë xhenazenë e tij pa e ditur; ajo që miqtë nuk patën marrë parasysh nuk kishte qenë vetëm përqindja e lartë e rakisë (së maresë, siç do të zbulonte më vonë ekipi i lartpërmendur), porse edhe fakti që Kastriot Çaçka, një i njohur i mikut të Xhemal Koplikut, që kishte qëlluar rastësisht në ftesën që ky i fundit i pat bërë mikut Përparim Zyka në kodrat e Liqenit Artificial në tavolinën e improvizuar të dominosë. Për fatin e tij të keq Kopliku pat ftuar edhe Çaçkën në kësoll, meqë ishte ndodhur aty.
Rakia e maresë nuk ishte në të vërtetë e tillë: pas një telefonate të atypëratyshme që Çaçka kishte kryer me nipin e tij të sapokthyer nga emigrimi i gjatë në Siçili, - inicialet e tij nuk mund të jepen këtu për arsye hetimore - , ky paskësh patur në fuoristradën e tij dy shishe të ngjashme me përmbajtje po ashtu të ngjashme në dukje, por që nuk qenë ashtu, siç do të rezultonte edhe nga autopsia e Koplikut.
Nga intervista e shkurtër që mundëm t’i shkëputim kreut të skuadrës autopsike, pasi ai gjendej ende në punë e sipër, do të mund të thuhej, ndonëse shqyrtimi i çështjes vazhdon, se Kopliku dyshohet të ketë dhënë shpirt për motive të ulëta cinike: nipi i Çaçkës, me sa dihet deri më tani, ndonëse ai ngul këmbë me të madhe në pafajësinë e tij, ka patur në planifikim e sipër asgjësimin fizik të ungjit të tij Kastriot, por kjo pistë nuk është vërtetuar ende në formë fundore, ndonëse të dhënat flasin për një ndërlikim të Kastriot Çaçkës në aferën korruptive të dhënies së një tenderi për Gadishullin e Karaburunit. Porse nipi ngul këmbë se dy shishet pa etiketë i ka blerë për arsye nostalgjike, pasi i është thënë nga shitësi se bëhej fjalë për konjak të bardhë të përftuar nga druri i panjës.
E vërtetuar deri më tani është vetëm vdekja përfundimtare e Xhemal Koplikut; pasi pritën tri ditë se mos i dilte pija, të afërmit vendosën më në fund ta varrosin, pasi t’i ish bërë autopsia e të ishte vërtetuar edhe shkencërisht që ishte vërtet ashtu. Po, ashtu qe: ai kish vdekur vërtet. Ngushëllime të afërme u uron redaksia e Rradake-s. Ua shpërblefshim në raste të tilla e të rroni e të na kujtoni. Hetimet vazhdojnë.
No comments:
Post a Comment