2.8.22

OBOLUS


OBOLUS


Ky shpirti im, ç’pishinë hijesh,
të cilave u duken veç teshat.

Sikur ta kisha marrë këndej edhe Lanën me vete
-dhe të më ishin errësuar udhës nga netët ujërat e saj
ku derdhen të zezat e njerëzisë, zi e marrë si një i ftohtë-
më duhet të kaloj edhe këtu dy ura, njërën për n’anën tjetër,
tjetrën për t’u kthyer në shtëpi e për të rënë në shtrat,
akoma i zbehtë e ca më i murrëtyer se dje,
me një pse më pak, më i pasaktë.

Ta quash përrua apo lumë rrjedhën nën urë,
që shkon e ndrojtur përmes qytezës sonë,
për këto emra i mungon asaj kthjelltësia,
asaj i mungon gjerësia dhe thellësia,
aq më tepër që diku në burim
derdhin ca mbetje që ia bëjnë ujët e zi
dhe peshqit i ka të përlyer, - ata pak që janë, -
ndërsa patave u shndrijnë puplat nga lubrifikantët,
kur ngrihen në fluturim, si duar trafikantësh.

Kjo vlen, meqë ra fjala, edhe për shkruesin,
edhe ai s’i përshtatet emrit që ka: po ta shihje
natën mund ta quaje Aleksei, në drekë Etien,
e kështu me radhë: kështu edhe me rrëkenë,
një herë në vit fryhet ajo e gufohet dy-tre fish,
ato ditë i kaloj më së shumti edhe unë në shtrat,
ndërkohë që shpesh kam ndenjur me orë të tëra
duke ia kundruar qumështin e djegur atij gjiri,
se ashtu duket: si gjoksi i një femre të shpërbërë.

Me sy të vrarë nga hijet; këtë të thonë për mua,
mendoj gjithnjë i mbështetur në parmakët e hekurt,
në urën me burma të mëdha, të lyer me jeshile,
dhe mund të marrësh vërtet prej aty majtas,
shtegun e fushës, ku nxjerrin të shëtisin kohët e fundit
me qafore me drita LED qentë e tyre ca qenie,
po ashtu pa emër të qartë, ca qenie me tule,
me tuta me vula; mbetet vetëm ana tjetër
për t’u kthyer dhe atë udhë nuk e merr askush,
atje rriten bimë pa lule dhe ngrihen trungje të vjetër.

Atje jam fare vetëm dhe vetëm Zoti e di këtë.

Dhe rrëkeja hera herës sjell ndonjë shkulm të qashtër,
si letër nate të shkruar me të bardhë mbi dyfish të zezën,
me atë vetë: një njollë në vragat e Udhës së Qumështit;
njërin gjoks tëndin Lee, të ndukur ca më shumë se ç’duhet
nga dashti yt shtatzënë me pamund, rishtar në thithje.

Nuk e di ç’më shkruan, por e marr me mend se ai hotel
e ka edhe ai një pishinë diku, pishinë përplot me gjumë,
ku ngrihen prej gjëkundit hije me tesha të rrudhosura,
të cilave u duhet një zhytje më parë që të marrin veten
në gufimin e të zotit kur rri, tani të nxirë prej shpirtit tim,
si prej fundit të qumështit të djegur, shtrat rrëkeje etjeje.

1

Unë, unë dhe unë dhe unë,
Vizën e pestë banakieri ta vë skiç
siç një mundim të tepërt kryqit.

I varuri në të mjafton
dhe Jezui tashmë ka pirë
edhe gjakun e tij.

Koka të endet gjembave
që të ngulen ëmbël nga brenda,
mund të vazhdosh kështu
dhe të ecësh mbi ujë.

Por nuk ka pse,
dera është e hapur
dhe udhën për në shtëpi
e mbars si ylli qiellin.

Vetëm ti si gjithnjë
Je natën, ditën s’je.
Qielli po: ai është gjithnjë aty
Dhe të përmban ndoshta kushedi se ku.

Ndërkaq bien ca cërka
nga ndrima jote:
“Mos fli pa më menduar
deri në fund!”

2

Ti do vetëm ujë
për ninëzat e tua të thara.

Ujë të qashtër aq,
sa nuk gjendet as në gjëndrat
e foshnjave të sapolinduara.

As në puse të thella sa mendja.
As në qiejt më epërm të kësaj bote.
As tek unë: edhe unë një copë njeri jam.

E megjithatë:
ai shi rrjedh prej tjetërkundit.

3

U dendën retë,
krisi e m’u errën sytë,
ndaj nuk ishte çudi që mendova:
"Tre të katërtat i kemi prej uji
e një të katërtën breg,
si një i dehur me pak,
me vdekjen e vet.”

Shkrepëtiu mendja e ai zigzag,
ajo krisë në rrashtin e madh,
të parë ashtu nga brenda,
më kalamendi në bark.

Sa vetë po lindin shi tani?
Ç’mbajnë veshur përmbi?

Groshi që paguan
mban fytyrën tënde përmbi
në gomonen e Karonit.

Ia nisi shiu pastaj
e duart më shkuan vetiu
aty ku trembet njeriu.

Që ku të mbahet nuk ka
pos një filli kashte zigzag.

Me rrufenë si ovullë mbi sy
ika nga sytë këmbët q’aty.

4

Si vezë po rrihnin në një pjatë të bardhë resh
pirunj t’argjendtë rrezesh ç’mbetej nga dielli.

Hëna ca më tutje po mpakej sërish
si për të më sjellë në mendje
gjakimet e tua vajzërore,
të shpërndara nëpër shesh si palë andej-këndej,
ca njëra mbi tjetrën, një tjetër kishës përreth
si brerore a qumësht gjiri për kambanën,

Që ma hidhte hijen përmbi me shpërfillje:
“Hi je, hi!”

M’u ndërmende natyrisht atëherë
e të gjeta ngjitur, në hijen e orës sime
dhe përshkova çdo kujtim të përbashkët
si një gjilpërë qëndismën e bërë me dorë.

Hija jote i thoshte hijes së kambanës:
‟Fli tani, fli.
Hi je dhe ti.”

Dhe m’u bë një si komb në grykë:

Ti ishe aq e lehtë për peshën e kësaj bote,
ç’mendon Perëndia vallë kur hedh këtyre anëve
pluhur e hi siç ishe ti, - jo: je tani -
ndërkohë që shpatet i cingëris me borë?

Po veten a e di? - m’u bë se më the
dhe desh u këputa nga peshë e saj e rëndë,
se unë jam vetëm pupël, ti e di,
e mbetur këtupari nga një mpakje ajrore
e një shpendi të paemër
që veç të lerë gjëkund vezë di,
hije hiresh se hi jam, hi jemi të dy,
pa ditur qysh e nga i ndodh e tëra kjo,
kur bën tutje sepse vetëm atë di,
vetëm të fluturojë nga goja pra
kur i fryn diç’ e padukshme,
zjarrit, diellit atje lart.

5

Nata është mikesha e të paktëve
që presin sa të shumtët t’i ketë marrë gjumi.

Pastaj aviten, me qasje të ngadalta,
qeniet që gjatë ditës kanë frikë nga pluhuri.

Hijet dhe të vdekurit e kushedi ç’engjëj
që hyjnë duke bërë kujdes nga të çarat
tok me të zezën e mendja perënduar ka,
ajo e diellit, ndërkohë që hëna po ndikon
anën e errët të saj me pjesën që i mbetet.

Netëve shpirti, që e di se është i dritës,
çlirohet nga ajo e diellit dhe prej trupi,
përmall stërpikjen e asaj dite, kur shtrirë
gjenden atë çast të tërë, shtrirë përdhé
nga mpakja ditore e një ish-jete të tërë.

Shih karrigen ku je ulur o mike e plakur,
Porsi ajo ishe një trung me degë dikur,
tani vidhat janë dobësuar, më s’mban
e s’mban mend kush të ka hyrë në hak.

Veç kujtesa e botës bën kujdes për ne,
se ç’qemë e ç’bëmë këtyre anëve, ndaj
të mbetet veç një: ose të besosh në të,
o të epesh në shumën për lumë të fajit.

6

Në këmbë, ulur apo shtrirë?

Shtrirë!

Pasi je vetëm një horizont
që përkohësisht ndahet nga ana tjetër,

Ashtu ndahesh edhe ti vertikalisht
Nga gjurmët që lë në këtë jetë.

Ato janë veç një hukamë
e mbetur në dritare
nga fryma e mbrame.

Shtrirë do ta shohësh veten nga sipër
kur shpirti të të dalë përfare
e trupi të të ngjajë si i një tjetri
e të mos ndiesh për të keqardhje.

Shtrirë do të jetë atje përfund
i vdekuri që ia lë lëmoshë kësaj bote,
ndërkohë që lumnimi po të ngre osh
telart, ku koha pushon së rrjedhuri.

Shtrirë pra mendoje veten,
kur të zbrazesh aq sa të përmallësh
ikjen përfare, ikjen paq.

Vetëm paqe dhe aq.

7

Shpresën që më duhet
për të duruar kohën që më mbetet
e përftoj nga kundrimi papra
i portës së mbyllur aq mirë për të gjallët.

Kundroj anën e saj të errët si shpinë pasqyre
dhe më bëhet se e di që drita është këtupari e zbehtë,
është hije që hedh drita e vërtetë teksa u fshihet syve
të kujt gjallon këtyre anëve një shifër të çuditshme kohe,
të kujt gjallon ende me shikim të lëbyrur nga padija;
na dallon pikërisht verbëria nga tjetri gjithsesi.

Të jetosh do të thotë të pandehësh
diçka që s’di, që duhet ta marrësh të dhënë,
të jetosh do të thotë të shihesh në pasqyrën e vdekjes
e ajo nuk të tregon asgjë, pos pandehmës tënde,
pos vullnetit tënd të lirë aq sa një bumerang,
që i kthehet të zotit sidoqoftë në dorë.

Mirë është të mos ngutesh o mik,
kur të duket se sheh vetëm veten nëpër ajër,
mendo: drita është mëma e syve
që hapen e mbyllen orë e çast
për t’u mbyllur sidoqoftë
njëherë e mirë
për kë ikën.

Do të ikim pra
me shikim të mbyllur
nga porta që hapet pikërisht
për të mos u parë se ç’ndodh
me të parët tanë e me të parët:
e verbër është pra shpresa ime,
shpresa që më duhet për të duruar
orën që do të më mbetet domosdo,
kur të jetë hedhur rëra e tërë nga balloni,
kur të jetë hedhur rëndesa poshtë
n’anën tjetër të peshores sonë,
anëve të kësaj bote hon.

Në hovin që pason më bëhet,
më bëhet shpesh se shpresoj.

8

Nuk mundem më
e ndaj habitem që sidoqoftë
e gjej veten ende në këmbë
e që sytë duhet t’i kem të hapur.

Për të parë çfarë?

Kjo më habit edhe më.

Dyshoj se është pikërisht kjo habi
që më mban akoma gjallë mbi këmbë.

Habia që jam, për një arsye të mistershme,
me sa duket, por dhe kjo nuk është e sigurtë,
habia që jam pra gjallë në gjellën e përhershme.

Për të përjetuar çfarë?
Kjo pyetje nuk më habit.
Ajo më lodh.
Më lodh kotësia e të bërit sikur
qenia ime paskësh ndonjë veçori
që nuk e ka, fjala vjen, mungesa e saj.

Ndaj më harro të lutem,
ndoshta ashtu do të ketë një shkas më pak
për t’u ngritur përsëri nesër nga gjumi.

Harromë në mundsh
si një ëndërr ku nuk ndodh asgjë
përpos vetëdijes që po fle.

Vetëm ashtu do të flinim tok
e do ta ndanim atë së bashku
si një mbulesë më të madhe,
si qiellin natën sipër fundja.

9

Hija është tani më e gjatë se i zoti,
edhe pak e të dy do të zhyten në natë.

Ajo do të përzihet me kripën e zezë të oqeanit,
ndërsa ai do të shpresojë, në do të mundë ende atë çast,
që lënda e tij është prej drite e do të kujtohet përsëri
se edhe ne i kemi, si toka, tre të katërtat prej uji.

Një çerek, dhuruar prej vetes më të shumtës
e kjo bëhet edhe më e njelmët për kë mbetet.

Pa mendo tërë ata që kanë ikur njëlloj siç erdhën,
lakuriq, me gojë të vuvosur dhe sy që nuk shohin,
për të paguar për një natë më të madhe se vetja
me hijen që zhveshin kur u duhet të lënë bujtinën,
ku flenë tre të katërtat e jetës së tyre, për të dalë
lakuriq e të verbër para dritës që i sheh nga brenda.

Mendo ata që kanë ikur dhe sille ndër mend sërish
që gjëja më e rëndomtë në këtë botë është vdekja.

E që në paskësh koha ndonjë çast të përvetshëm,
i tillë është vetëm ai, kur pasi je fshehur në oqean,
lakuriq, pa gojë e symbyllasi, shpreson të gjehesh
si guaskë me qepalla që pret dikë të zhytet atypari,
të të marrë me vete sipër dhe të hasë perlën tënde,
ovullën që epet në dëshirën për t’u parë në verbëri.

10

Ti pus,
unë pus.

Një sy qiell ti,
një sy qiell unë:
i njëjti qiell…

Veç atë shohim
e psherëtijmë
të njëjtën heshtje.

Ndërkaq përmbi
ai atë me dy gojë
na pi atë pak gji.

Përnatë më larg,
përditë më afër.

Veç ne e dimë
se ç’është vërtet
shpresa e qashtër.

Mall i përbashkët
që u jepet me etje
fëmijëve të verbër.

11

Një ditë më pak,
Një ditë më shumë,
Një natë më shumë,
Një natë, s’ka pak.

Trofé për odën e vjetër
krerësh t’errur mendsh,
që nuk i kam prerë vetë.

Unë vetëm u shoh fytyrat
tek u mugen e u zbardhen
nga hijet e brirëve që rriten
e nga dhëmbët e mardhur.

Më lë kushedikush para derës
sa herë që më ka marrë gjumi
edhe një krye tjetër të prerë,
që më ngjan, po të isha dré.

E të mos isha ky pyll i mpakur,
sa nga mungesa e tyre,
sa nga çka më pret.

Çdo ditë më shumë,
çdo natë më sak,
vetja bie mbi vete
si dëborë që trash kur bie
atë që ka rënë tashmë.

Dhe i rëndet
gjithë e më shumë
fëmijës në ty atje
burri që je.

I rëndet vetja vetes
që s’di se cila qenkësh,
që s’di se ku gjendet,
poshtë a përmbi.

E veç kur shtrihesh
e merr formën e shtrojës ku bie,
kur bie mbi formën tënde të mëparshme,
të bëhet se e kupton gjuhën e trashur
nga dehja e fjalës në gojë sërish
me të bardhën përmbi.

Që bie përmbi të e ethur
për të mos u thënë më.

12

Sado të mbahemi te tjetri,
vetëm jemi kur na merr gjumi
dhe na shtrydh verën
gjurma e zbathur e errësirës
e dehemi me të tjerë njerëz,
të vdekur mbase.

U këputa për një çast,
mbylla sytë e të pashë zgjuar
me një nëpërkë në gji,
bistakët që mungojnë pashë
dhe rrushin aq të zi,
që pikëllohet netëve
nën hënë e yjedritë,
të pashë në kohë të shkuar
e të tashme s’kish.

Dhe u mbajta në zbrazëti
siç gjarpri mbahet tërë një dimër
pas ëndrrës me hardhi.

13

Dy buzë jemi të një kambane,
që u ndjell tingullin e njëjta gjuhëz
e që nuk puqen bashkë kurrë.

Dy buzë jemi të një këmbore
e tjetër s’ndihet në këtë ëndërr
dhensh të bardhë që nusërojnë
me kryet ulur dasma pa dhëndër
nëpër kullota prej dëbore.

Dy rrahje jemi t’njëjtës zemër,
të njëpasnjëshme, derisa o ti, o unë,
të heshtim përfare e të sosë kjo marri
faljesh të dhëna, por që nuk merren dot,
që jepen përgjysmë me çka na ndan,
që s’merren dot se mungon tjetra,
ngaqë kur bie unë, je ti matanë,
kur bie ti, jam unë jehonë.

Ç’këmborë lehonë,
ç’lindje kjo, sa e vonë,
ç’kambanë shtatzënë
me meshën tonë!

14

Merr frymë ti dhe jep një tjetër,
nis një rresht me atë që mbet’
siç stisin vajzat një qëndismë
me veç një grep e veç një fill.

Nis një afsh, diçka të bardhë,
që ta mpak e ta thur me sqep
feniksi prej bore që mardhet
n’atë ku jepet, frymës që jep.

Atë dua të ta dërgoj për letër,
porsi fat që zu fill pa shkruar,
drejtpërdrejt e në botën tjetër
dhe të të them me të në duar:

"E dashur, e di si je, këtë e di,
dhe se si jam unë e di dhe ti,
se nuk të shoh, por më sheh ti,
derisa të mbërrijë ajo ditë.

S’di sa do të zgjasë kjo verbëri
e ndaj të të shkruaj s’mundem,
ndërsa këtë letër e shkrove ti,
unë ia lexova me gishta fundin.

Ç’fir! Qysh u zhbë sapo u shua
e më la shëndenë sapo u ngjall!
Me të vdekur më dërgon fjalë,
me foshnja të të gjegjem dua.

Por lajmësit e tu vijnë nga ikin,
të mitë të ecin s’kanë mësuar,
rreshtave mbeten veç pika pa i
dhe prej tyre pak vesk në duar.

I tejdukshëm aq andej nga fundi
sa s’duhen sy e ta lexoj s’ka pse,
si breshër nate që s’e sheh kush
e në mëngjes merret për vesë.

E ndonjë pikë e dërgoj poshtë,
ta kthej atë pikëllimë a shend,
pa e marrë vesh çka e shkaktoi,
në ish gazmim apo vramend."

*U ngrys dita o mik e sërish mbi mua
kulluan dy-tri pika nga dylli yt i vluar.

Një pikë mbi buzë, një tjetër mbi krye,
e njëra nga duart më fshiu njërin sy.

Dhe për aq sa zgjati shija e atij zamku,
gjuha fjalë s’pati, zarf qeshë për pak.

Mbylli dora tjetër veten si murgeshë,
ishte veçse letër dhe zarfi unë qeshë.

S’qeshë atë çast as këtu, as përmbi,
si shi që kudo has vetëm veten e tij.

Më doli nga duart edhe një ditë mik,
si letër e hapur errësirës që e pik.

© Arb Elo

24.7.22

JOHAN VOLFGANG FON GËTE



















ELEGJI


Dhe kur njeriu në sfilitjen e tij meket, përheshtet,

Më dha një Zot të shpreh, të them atë çka vuaj.



E ç’të shpresoj tash prej ritakimit, të riparët,

Prej sythit ende të mbyllur, çeljes së kësaj  dite?

Parajsa, ferri për ty po i mban hapur siparët;

Si luhaten gjendja shpirtërore dhe ndjesitë! -

Mjaft me dyshime! Ajo shfaqet në të qiellit portë,

Përkah të sajëve krahë të ngre e t’përlarton.


Kështu pra të pritën në parajsë ty, a thua se

qenkëshe i denjë për jetën e bukur, të përjetshme;

S’të mbeti më dëshirë, as shpresë, as përdëllesë,

Aty ishte qëllimi i palcës së synimeve e i rrekjes

Dhe në soditje e sipër të asaj bukurie të pashoqe 

Iu shter shpejt kroi përmallimit, burimi lotëve.


Po si s’ia shpupuriste fare dita flatrat e shpejta,

Dukej sikur po i shtynte minutat përpara veç për të!

Puthja e mbrëmjes, një vulë bese, premtim jete:

Kështu do të mbetet edhe në diellin tjetër patjetër.

Orët i ngjanin tjetrës n’atë endje të paqtë manare

Si motra i ngjan motrës po, por jo njëra-tjetrës fare.


Puthja, e mbrama, mizorisht e ëmbël, therëse

Pleksje e mahnitshme fytyrash n’tjetrën thurimë

Tash duhet ikur, tash meket, kur shmang pragun n’ecje

Këmba, si ta mbante përbrenda ndër flakë një kerubin;

Ngrijnë sytë, të ngulur udhës së errët, zymtuar fort,

Vështrojnë pas edhe një herë, mbyllur është porta.


Dhe mbyllur tash në vete është zemra, si të mos kish

Çelur, lulëzuar kurrë, si të mos ish hapur asnjëherë,

Sikur të mos kish kaluar orë ndanë saj në amshim,

Mos t’kish ndrirë ndanë në garë me çdo yll të qiellit;

Dhe shkurajim, pendesë, qortim, peshë ligështie

Tash ta rëndon atë në një atmosferë zagushie.


S’mbetet pra më mjaft nga bota? Murana shkrepash,

S’qenkëshin më ato t’kurorëzuara pra me hije të shenjta?

Të korrat, a nuk po piqen më? Një visore e gjelbër tash,

A s’i përshkon më përbri lumit ajo shkurre e bjeshkë?

Dhe a nuk harkohet më e mbibotshme çoç madhore,

Herë trajtë e hireplotë, herë pa to, shpejt, prore?


Sa i lehtë e i brishtë, sa qartë e hollë qëndisur rri

Kori i qëndisur me re të ngrysura, si kor serafinësh, 

Si t’i ngjante asaj, përmbi, n’eter të kaltër, ndër ajri

Ajo pamje e hajthme sipër prej arome të ndritshme;

Ashtu e pe atë të hiqte, printe një vallëzim gazmor,

Më fort të dashurën trajtë nga më të dashurat fort.


Por veç çasteve mund t’u nënshtrohesh, jepesh,

Një shajni ajrie në të sajin vend për t’u mbajtur;

Kah zemra mbrapsht! Më lehtë atje do ta gjesh,

Atje gjallet ajo ende në trajta që ndryshojnë figurë;

Prej disave pamje merr një kah telart e përmbi,

Aq mijëfish, dhe gjithë, gjithë e më me dashuri.


Si endej ajo kur bëhej pritja portave ndanë

Dhe më lumturoi qysh aty e tutje ca e nga ca,

Gjer’ edhe pas puthjes së fundit erdhi prapa,

T’mbramen puthje, të fundit fare buzëve më la:

Kaq qartë, aq e gjallë mbetet pamja e të vluarës

Me flakëshkrim n'zemrën besnike aty e shkruar.


Në zemër, që fort si mure majëlartë

Atë e ruan në vete dhe në atë ruhet vetë,

Për atë gazmendet për sa kohë zgjat,

Që di për veten e saj, për sa kohë ajo shpërfaqet,

Që ndiehet më e lirë në kufiza kaq të dashura

E rreh vetëm që asaj nderës t’i falet atypari.


A ishte aftësia për të dashuruar, apo ish veç dëshirimi

Përfare e shuar, i humbur, prej dashurisë së përkundërt,

Qenkësh bërë dëshira për shpresë për pritshmëri gazmimi,

Vendimesh, për bëmë atypëraty, bërë sakaq e mundur!

Në dashti e përshpirt të dashuruarin përfare, e zhurit,

Me mua mundi, mua ma mundi dashti më i zjarrtë shpirtin;


Dhe flaka ishte pikërisht ajo! - Qysh u shtrua brenda një mund 

Dhe zuri vend përmbi shpirt e trup, një mund rëndese të paftuar:

Shikimi i rrethuar n’unazë pamjesh trandëse, i humbur ndokund

N’odën e bjerrë të boshit të zemrës çart, pikëllim e shkrumb hua;

Tani nis të zbardhë, nis të agojë shpresë prej pragut të përditshmes,

Ajo vetë ndrin në të verdhën e butë të diellit gjithë e më e hijshme.


Prajën e Zotit, nënshtrimin nëpërmjet saj, tuajin nënshtrim

Ndaj saj, që ju lumnon më tepër se arsyeja - siç po lexohet -,

E krahasoj unë me harenë e dashurisë, me të sajën gazmim

Në praninë e saj, të shumëdashurës, të dashurës tërëkohe;

Pranë saj zemra prehet, rreh lehtë e asgjë nuk e shqetëson më

Arsyen më të epërme, t’i jepesh asaj i tëri, arsyen për t’iu dhënë.


Në dëlirësinë e kraharorëve tanë frymonte një dëshirë,

Për t’ia falur veten një lartësie, një dëlire, një paditurie,

Për t’iu dhënë asaj prej mirënjohjeje me vullnet të lirë,

E i gjenim asisoj Të Paemrit të përjetshëm fjalë dashurie;

E quanim këtë: përkorë! - Lartësive të tilla shpirtërore

Ndjej se po marr pjesë, kur rri para saj, atje qëndroj.


I qëndroj kundrimit të saj, siç fuqisë së diellit i rri varur,

Frymës së saj përpara, siç përpara ajrive pranverore,

I tretur, pas aq stinësh i ngurosur, i ngrirë, i akullt fare,

Vetëmbajtjen kallur thellë ndër vendvarrime dimërore;

As përfitimi, as sedra, as vetëvullneti dot nuk mbahen,

Prej ardhjes së saj, stinës së saj, të firuara pasi çahen.


Është sikur ajo të thoshte: „Orë pas ore

Na ofrohet me mirësi porsi dhuratë jeta,

E djeshmja na ka lënë njohuri vorfnore,

Nesërimit s’i dihet, ndalohet dija e ditës tjetër;

Dhe kur jam druajtur ndonjëherë prej mbrëmjes,

Dielli perëndonte dhe shihja ende çka më falte ëndje.


Ndaj bëj siç unë dhe kundroje, me këndje mirëkuptimi,

Çastin drejt e në sy! Shikoje, shikoje mu aty! Mos e shty!

Nisu e takoje, shpejt, me mirëdashje, me gjallëri gjallimin,

Qoftë në veprim, për hir të gazmendit, qoftë për dashuri!

Veçse aty ku je, ku gjendesh, ji tërëçka, fëmijë gjithnjë,

Kështu je gjithçka, je i paepur, je i tëri ti në këmbë.“


Mirë, ti e ke të lehtë të flasësh, mendova: se me vete

Të dha një Zot përshoqëruar përparësinë e çastit, fatin,

E gjithësekush ndiehet n’anën tënde të brishtë me fletë,

Ndiehet për ndo çaste i përkëdhelur nga ajo uratë;

Mua më ngjeth kur ma bëjnë me dorë se më duhet të të lë,-

Të mësoj një urtësi kaq të lartë s’është se më ndih më!


Tashmë jam larg! Minutës së tanishme aq i bën,

Ç’gjemb i hyn asaj në këmbë? S’do të dija ta thoja dot;

Ajo më ofron nëpër të bukur ca të mira tok mbi të,

Kjo veç më ngarkon edhe më, ndaj duhet të shkoj pa to.

Mua s’më zë vendi vend, një përmallim që s’ke ç’i bën,

S’më ndih atje asnjë këshillë pos lotëve që venë e venë.


Kështu pra buroni dhe rridhni t’pandalshëm atëherë përtej,

Porse kurrë s’do të ndodhte, t’avullohej vullkan i brendshëm!

Tanimë po tërbohet dhe po më shqyen në kraharor çdo dej, 

Dhunshëm, ku vdekja e jeta luftohen lemerishëm, vendshe.

Ndonëse do të kish barëra, për ta qetësuar të trupit sfilitje;

Veç se i mungon ca vendosmëri, ca vullnet frymës në ikje,


Mos jeni gjë mangut: si do të mund’ t’i mungonte ajo atij të lumi?

Ai po përsërit pamjen, portretin e saj për të njëenjëmijtën herë.

Së shpejti do ta lërë për më vonë, së shpejt do ta marrë lumi,

Tani hera-herës e vagullt dhe tërë dritë të kulluar tjetrës herë;

E si do të mundte ta lumnonte këtë ngushëllim aq të pakët,

Zbatica e batica njësoj, si ikja, ashtu edhe t’ardhurit për pak?


Braktismëni këtu, miq besnikë udhe! Lermëni në këtë vend!

Lermëni këtu të vetëm anë shkëmbit, ndër batak e myshqe;

Jepini! Vazhdoni! Për ju është bota, e çelur për ju anekënd

Toka e gjerë dhe e largët, qielli shumë i pamasë e më i madh;

Soditni, kërkoni shkencërisht, koleksiononi një më një njehsimet,

E fshehta e natyrës u bëftë juaja, me zell, me mund e mundime.


Gjithësia qenkësh imja, më ka humbur vetvetja mua,

Mua, që një çast më parë isha i përkëdheluri i zotave;

Ato më vunë në provë, Pandora më dhanë vetë hua,

Aq të pasura me të mira dhe me rreziqe ca më plota;

Ato ma zunë ngushtë gojën e uruar, gojën e dhuruar,

Ato ma numërojnë hirin - e më gjykojnë të shkrumbuar.



Johann Wolfgang von Goethe

(Shtator, 1823)





11.1.22

ZONË KËMBËSORËSH



Vjedhurazi shohin veten në vitrinë
shumica e atyre që shkojnë me ngut
lart e poshtë kushedi për ku.


Porse në çastet bosh pa kalimtarë,
si në një mulli kobureje pa plumba,
pasqyrohen në qelqet e dyqanit tjetër
mallrat e reklamat e atij karshi.


Mishi i therur pasqyrohet atje ku shiten stolitë,
- tabela e përkorë e institutit mortor dyfishohet
përballë, atje ku shiten e blihen orat e dorës, -
ndërsa fitimet e lotarisë përsëriten
nga e djathta në të majtë arabisht
në xhamat me avull të gjellëtores.


Por rrallë, oh sa rrallë, qëllon
që pasqyrimit tënd t'i shtohet
diçka që përnjëmend do t'i shkonte
synimit të marrë, drejtimit që po shkon,
që sytë të të shkojnë vetvetiu
në të njëjtin vend ku gjendet
ajo çka po duan të shohin.


Një vend ku të mbahen
e të marrin veten nga njeriu,
nga të ndenjurit ndanë prore,
nga mëdyshja e ndarë sinkrone,
që sytë të gjejnë aty pranë sipëranë,
diçka tjetër nga paratë e nga të parët,
një prerje të artë si heshtje të dy anëve
të tabelës së varur: MBYLLUR, HAPUR,
diçka të epërme, fundore.


1


Ja ku je pra prapë

dhe emrat e dyqaneve të ngjajnë me titra të dubluara

nga një film i parë deri në eksces.


Asgjë për t'u shënuar:

Lisi yt mbahet akoma; në gjethet e tij 

ta lexojnë të ardhmen fatthënëse memece: 

vetëm diçka është e sigurt: ke për të vdekur mik 

dhe gjithë ç’të shkon pranë e të sillet vërdallë 

si një gërdallë e trembur që ikën vrik.


Kjo të bën të ngjashëm me ta,

por edhe të ndryshëm: 

pasi gjithsekush vdes ndryshe.


Edhe ti hov drejt vdekjes tënde

si një figurë e dalë nga grafitija

e rrobave me të cilën i veshin shitoret

klientët që e kujtojnë këtë për vullnet të lirë.


Ti hov drejt vdekjes tënde si erë e përkundërt

e në qiell me siguri mendojnë:

"Ç'është ky, nga vjen e pse kujton

se s'qenkësh sidoqoftë në dorën tonë?!”


Ndërsa ti u gjegjesh me vete:

"Se vetëm skllav nuk jam,

përndryshe gjithçka tjetër…!”



2


Ia fryj fjalët e mia me astmë, pa zë,
vitrinës së dyqanit të luleve përkarshi,
ku zihen petale drite me farën e kosit tim,
aq pak sa janë, sisa lejleku me tri a katër petale,
të mbështjella me qelq gotash e syzesh që s’di
nëse po ia marr apo ia jap kujt atë dhuratë.


Me thithka të verdha si dregëza ku më zbardhet
kryet e rralluar nga një luledielli e këputur kushedi se ku,
me veshë të prerë, kryet që bymehet 

nga gota të qerasura rrezesh si eks, 

i rrëkëllyer me fund, si shpirt i marrë kaherë
një besëlidhjeje të therur përgjysmë trupit.


E rrallë kjo fryma ime, katër me zero, xhufkë nate,
katër herë dhënë e marrë nëpër ajër, notë ngelëse
në një pentagram si mall që nuk jepet, që s’di në të merr
a e merr, në ia marr hua apo e kthej me fund si gju[r]më,
kur përputhen buzët e hapura me dy të tjera si vetja
n’atë ekran nate, nga ku del, kushdo që hyn, prapë.


Kush e kur do të vijë? - thonë lulet,
të na shëlbejë me lirinë e kotë të bukurisë,
të na shohë se si rrimë me kokën e këputur mënjanë,
të ngjyrosë sytë në petalet e fjalëve të pathëna,
aq pak sa janë, tre a katër çaste të njomura
nga të mbijetuarit me veten e prerë
kushedi se ku, kushedi për kë?


Të vyshkesh kështu, pak e nga pak,
një pasjetë të tërë, ditë për ditë, mbi trungun e brishtë
të një trupi të prerë në besë kushedi se ku, kushedi nga kush,
për një vështrim të munguar, për pamjen e një livadhi
nga ku sjell një puthje symbyllasi të vdekurish sot
e askush që s’të gjen dot në mes të kalimtarëve
që rrinë tok, që rrinë ngjitur, që digjen bashkë
si eshkë që ka marrë zjarr nga t'ecurit tënd.


E ç'janë sytë, - thonë lulet -
në mos pasqyrë e dritës,
që kjo të shohë veten,
vendet që ndriu?


Për të verbrit të tëra udhët janë njëlloj,
ata dinë e ndiejnë veç hapat e veta
e dëgjojnë zërin e kujt u prin.


Kush di që kjo botë
është më shumë se sa merr syri,
kush sheh në verbërinë e vet
e verbohet nga pamja e të tjerëve,
ai e di që të shohësh të marrësh me mend është,
ndërsa të shpresosh është më shumë se aq.


Ai e di se sytë që duhen mbajtur pastër
janë ata që shohin nga brenda
kur i mbyllim të ballit.


3


Njerëz me vështrime të arnuara keq,
me tipare që shpalosin varësi si flamurë në erë,
me duar që u vjen zor nga laku që lakmojnë kaherë,
që u vjen zor nga paratë, grushtat e padukshme për të tjerët,
të kapura në vete, të marrët me mend, me sy si zogj që tremben
nga macet dhe qentë, që shtiren kur [te]shtijnë në ajër shend,
tek kremtojnë anekënd ecjen ende, fitoren në symbyllas,
fitoren e pamjes e të [s]kamjes mbi të parën e të parët,
fitimin e një dite më shumë në këmbë këtyre anëve,
[krye]ngritjen e përditshme të të gjallëve nga varret,
fitoren ditore të zgjimit, fitoren mbi mallin e hallin,
për kë gëzojnë, kë përgëzojnë ashtu e për çfarë?


Si zare të dalë nga një ruletë me dy të tillë,
sytë mëtojnë të gjejnë shtrate të tjera pa shifra,
varre pa emra, pa lajle e lule, varre për të [pa]qenë,
ku të prehen të shpërfillur, të rënë në Luftën e Tretë Botërore
që paska ngjarë saora, nga plumba të shkrehur në ajër për fitoren
e të kuqes mbi të zezën në zonën e rrahur fort të këmbësorëve,
ku çdo hap është si një kollë e kotë, një shkrepje e dalë bosh,
është si trokitje e dalë huq në portën e hapur të perëndisë,
është vetëm vesë e rëndomtë, një fall i hedhur borës,
është djersë e rëndë që i ka dalë nga duart ballit,
kohë e përdalë, e rënë me një dorë, orës.


Nëse kjo jetë qenkësh vetëm një lojë me ikje,
pasi ke trokitur që të të dëgjojë pragu i asaj porte,
pragu i asaj dere të zezë ku, si në një qorrsokak së prapthi,
ti mund të dalësh vetëm, por s'hyn dot, asaj s'i duhet dorezë,
asaj i duhet një stërkëmbësh mendova, si t'më binte të fikët,
kur qëllova me shikim pasqyrimin tim që kish për shtrojë
vitrinën e dyqanit të luleve në zonën për këmbësorë,
kur këmbadoras qëllova pra atje për vdekje si epitaf,
veten, me gjuhë të tharë, të shkrehur n'atë gojë.


4


Prej këmbësh i ka akrepët ora e njerëzisë,
në shkretëtirën e kohës shkojnë e shkojnë të tërë 

drejt vetes që u largohet ndëkaq gjithnjë e më shumë,
sa më tepër i afrohen qendrës në atë rrethore ore,
n'atë teshtimë përgjumësh që e heq një i huaj,
shamisë së të cilit i mungon dora.

Gjithsekush është një pasqyrë e magjepsur
që të tregon të zmadhuara anët e shtrembra të vetes,
ajo çka të bie në sy është ajo çfarë kujton se nuk qenkëshe,
ashtu si të dehurit që mblidhen rreth supermarketit çmimi yt je ti,
po ashtu të paketon shitësja shifrat në biletë e t'i ndryn më fort,
kur sheh dikë që po të lyp nga pas, një tjetër që të sheh,
kur sheh veten me lule përanash e të duket e metë.


Ti nuk ke fytyrë, ashtu siç nuk duket nga jashtë
kush ha pas dritareve avull copash të pjekura kafshësh,
ndërsa shpirtrat e marrë u përzihen me qiell dhe trajta resh,
po ashtu të përthyhet edhe ty nga një pamje në tjetrën
- si vizë në barcode apo e hequr po aq shpejt vetes -
hamalli fal[a]s në xhamin karshi me lule pa peshë,
ndërkaq ti po rrekesh ta mbash shpirtin tënd,
ta mbash atë aromë aq të rëndë lehtë,
ta mbash atë siç duhet, për së mbari,
ndërkaq po rrekesh keq mos t’i biesh
atij në sy, mos t’i hysh aspak në hak
dhe të gjesh çastin për t’i mbathur,
për të rënë, për të fjetur përfare.


5


Ajo ruletë me dy zare,
ku më kanë hipur me biletë,
- si të ma griste një fatorino i dikurshëm
në linjën e Unazës apo të Tiranës së Re -
nuk ma merr kryet me vete,
këtë e merr një dremitje e lehtë
dhe ma dërgon me një lejlek drejt e në Laç,
në Kombinatin Metalurgjik, ku m'i hedhin fall më parë
trurit, I Ging me za[ra]re - me skorie, - natyrisht furrnalte,
pastaj ma nisin për pelegrinazh ca më lart, për Shna Ndo,
fëmijën e verdhë që i [për]qeshet lejlekut nëpër krahë,
tek përleshet me gudulisjen e puplave të tij në bark,
për të perënduar menjëherë në lindje vetvetiu,
që të mos lindet më ashtu në farkë,
të mos përkundet në lak,
asfare e askund,
aq më pak aty ku ha pula fara,
ku miu kapet me dredhi,
me pak djathë
kaçkavall,
me fund.
Fund.

(Titrat):
Ja, me kaq,
me një minifund,
me një valle çaçkeje,
me aq pak, me hile, me uri,
ku qumështi është fundja pluhur,
që i shitet miut për sapun, për djathë
e ku i mbijeton nënnjeriu nga halli
një shakaje deti të bërë kos,
shakaje mjaft të madhe,
vetëm me kripë,
të mbytur
në të qeshurën e vet,
në vëthët e pamarrë vesh,
si këmborë dede, e leshtë,
me sot dhe me nesër,
me mosval[l]ë,
me etje, me etj.,
me lëndë të shkundur brigjesh,
lëndë minifundesh beli,
rruzare me qiqra helli,
shtigje eprore,
me një fjalë,
Fund...
ore!
Fund...
por me titra,
me katër edukatore
të zbardhura në pasqyrë
nga pamja shkurt e vetes,
në vetë të dytë,
vezë të zeza
nëntoke,
00.00,
punë dore,
tush kinez muri,
natën: rënie koke,
gjumi: fall me zare truri,
i luajtur keq nga vendi,
sikur t'i kishe rënë me dorë
me apo pa dashje një peshe në kandar,
fundit të një shkurti të përdalë kalendari,
çelik me hile i çarkut për dorën,
orë e saktë, sakicë,
art për art pra
në mohore:
Fund…
skiç.
Skicë
me trill,
me skorie,
me fillim prilli,
llum kafeje me pak,
ndërsa ta vënë përfund fillin,
trupin e mbetur në dërrasë të zezë në klasë
dhe ta çojnë këmbët pa dhëmbë në shkollën e natës:
‟Antoniusstr.‟. - Ç'përkitje e çuditshme emrash! - mendon,
dhe vërtet: kjo rrugë si furgon ambulance e qytezës, shtatzënë,
me drita të kuqe dhe temperaturë marramendëse aq të lartë
mund të quhej njëkohësisht shëndet paç, por edhe plaç!
si emrat e markave të lira janë që u vihen plaçkave,
si emra të [për]dalë nga moda që u vinin plakat
nipërve dhe mbesave, pra prindërve tanë,
kjo rrugë pra mund të quhej fare mirë
”21 dhjetori” ose ”21 janari”
ose: ”Pazar'i Za[ra]rit”,
apo: ”Ruleta e Carit”,
por edhe: Kuç,
Kuç dhe Maç,
apo: Paç e dhënsh!
Çfarëdo toponimi pra
që s'përmbajnë hartat e domosdo kuleta,
për ndonjë shteg të lashtë dhish në Labëri
apo ndonjë që të çon anës e anës për në Laç,
në Arbëri, qoftë edhe në mohore: për në S'paç,
ndonëse është i pabreg ai prag,
është pamje e zhveshur keq,
natyrë e qetë me mbathje
nga telajoja, nga çarku,
djathi qenkësh cak,
çarku me kapak,
kupë e [k]thyer
nga mbajtja,
thyer me
fund…
me pak,
ja, me aq pak,
Fund…
plak.
Fund...
plako.
Mirëpo këtë
rreng ta mendon
truri yt i ikur ndërkaq,
i dalë e i përdalë nga një ruletë ruse
në një kafene të thjeshtë - sidoqoftë të paqtë -
si një kafaz kubist me lejlek dada i varur në një pub,
me një gjysmë bilete në sqepin e zgjatur aq kambistit,
teksa u shpjegon pelegrinëve të ardhur si ciceron
pjesën tjetër të qiellit ku s’bie dielli, por nata,
vegjëlinë e zjarreve, xixa, vatra, yllësi,
n'atë plazh të kuq nate veneriane,
rininë tënde, mallin e rremë kinez
t'ardhur me vapor si vesë,
me lëndë të parë mëngjesi,
me flamurë, me yje, me shpezë,
megjithatë i ardhur, i dalë nga varri,
ndonëse pesëdhjetë e ca vite më pas,
me vonesë, sidoqoftë i mbarë,
Fund i pa[ra]parë
nga ora e dorës,
pa stres.
Fund…
Vizë në mes
tek vdes.
Fund…
ja, si ves[ë],
mall pa para,
i pa[ra]parë, i pashpresë pra,
- më shpejt do të ishte shpikur syri nga e para -
i ankoruar n'yje me nënat e motrat tona,
me pragun e shtëpisë në Merkur,
mall i lirë me shumicë,

djathë i bërë pluhur
nga zemra të bëra gur
me biletë ashtu të grisur
nga rënia e bursës patetike
pesëdhjetë e ca vite më parë,
(apo ish ca më parë?) kur u lige:
”O yll! O shpirt! ”O zemër!”.
”Rrofsh!” Stil rokoko:
Ç'a bo? U bo?
Su Bo. Robo.
Obobo. Ike?!
Ou-mua-mua.
Mos, robo[t]
se na fike!
Të dua...
Po ti?
Jo.
Fund.
(…und?)
Fund...
vesku,
afresku
në ngjyrë portokalli,
me përdalje boje ”like” o mike
nga periudha
‟jam me ato...‟
e mallit në bursën mistike,
art për art me zjarr,
flakë për flakë,
Fund i orës.
Fund.
...und?!
Fundore,
dora-dore
peshohen katër zero
në lavjerrës, në murin e madh
që sapo nis të rrënohet restaurohet prapë,
pres edhe unë mëdysh orën e dorës, koka domethënë,
kreu im prej fëmije i marrë prej një lejleku nëpër këmbë
në një torbë barinjsh, i marrë sysh me ndopak bukë aty
e buzë që s'dinë se ç'të bëjnë me vete: të puthen,
të buzëqeshin apo jo, t'u qeshin apo t'i përqeshin
ata që tejkalohen, apo t’u dhurojnë para,
nga ato që veç shihen e nuk të flasin,
apo falen, ndaj nuk të shohin,
tym i tëri, i pa[ra]parë
nga ora e ngrënë,
nga zjarri.


6


Shpesh e ke bërë këtë copë udhë
dhe ke dëshiruar të jesh vetëm një pemë,
të ngulesh gjëkund si një trung i rëndë,
të hedhësh rrënjë, të falësh këmbët,
dhe t’i mëshosh me tërë ç’ke vetes,
asaj ç’ka mbetet prej saj në furgon,
kur ia lëshojmë për mirësjellje
ndaj të moshuarve vendin.


E meqenëse tjetra është njëlloj si ti
dhe ka të njëjtën shtysë për të mos ecur,
aq më i çuditshëm të ngjan sa herë i zgjohesh përbri,
kur sytë gjejnë njëri-tjetrin përballë, gjehen përsëri aty,
në shtratin plot me publik të zonës për këmbësorë
ku flihet në ecje me sy hapur me qiellin përmbi,
aq më e çuditshme të duket, më e kotë,
që qenkëshe akoma i tëri, i plotë,
që qenkëshe po ai sot.


Porse dëshira për t’u shtrirë,
për t’u këputur si lule papritur përdhé,
ndërkohë që kalimtarët shkojnë dhe vijnë,
për t’u hedhur në grevë, për të mos bërë tutje,
për të mos lëvizur nga vendi, për t’u bërë një me të,
të përndjek nga të gjitha vitrinat në zonën për këmbësorë,
si e kundërta e një valleje për të verbër e hequr me shami reje,
që të merr papritur si teshtimë kur u merr erë luleve të varrit tënd,
kur u merr atyre erën tënde dhe ia lë atë aromë dikur aq të rëndë
kopshtarit të botës, ia lë të renë tënde atij të huaji që të fshihet
në lulet brenda, si dhimbje fantazmë mini
në fundin e prerë shtrembër.


7


Rruga më e shkurtër
për te ju o lule
është të rri e t'ju pres.


Rruga më pak e shkurtër
për te ju
është të pres të rriteni,
pastaj t'ju pres.


Ndërsa rruga më e gjatë për te ju
dhe rruga më e shkurtër për te Zoti
është të ju pres e të më prisni
që të na priten fundet vetiu mot.


Nuk kemi nga të shkojmë sidoqoftë
dhe hapat na duhet t'i zvogëlojmë aq,
sa të mund të puqemi veçse nëpër këmbë,
si ju, të prera në besë, të lidhura tok me ves(ë),
të lidhura si syze me sy përfund, njëri me tjetrën,
tek ia falin megjithatë pamjen si dhuratë
dhe mbarë e prapë dhe mbrapsht
erës së marrë aromën e dhënë,
të tërën, me gjithë ç’janë.